Berisha në Lushnjë: Kongresin nuk e zbeh as 21 janari

Jan 22, 2012 | 10:46

Kryeministri Sali Berisha e ka ndjekur nga qyteti i Lushnjës protestën homazh të opozitës me rastin e njëvjetorit të 21 janarit. Kreu i qeverisë ka marrë pjesë në 92-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, vendimet e të cilit hodhën bazat e shtetit modern shqiptar dhe e shpallën Tiranën kryeqytet. Së bashku me liderin e maxhorancës ishin edhe kryeparlamentarja Topalli, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, deputetë të PD-së dhe deputetët e PS-së, Bashkim Fino e Arben Çuko.

Nga ky aktivitet, kreu i Ekzekutivit komentoi edhe protestën që po zhvillonte opozita përpara godinës së Kryeministrisë. “Asnjë veprimtari nuk mund ta zbehë rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike. Natyrisht, po të kthehemi te Lushnja dhe Kongresi i saj, një nga meritat e jashtëzakonshme të qeverisë së Lushnjës është se ajo themeloi pluralizmin, themeloi, de facto dhe de juro, sistemin që ne gëzojmë sot. Protesta është një e drejtë e qytetarëve në çdo vend të lirë”, u shpreh kreu i qeverisë. Duke folur për rëndësinë e këtij kongresi, Berisha tha se ai renditet në tri ngjarjet më të rëndësishme të 100 vjetëve pavarësi, përkrah ngritjes së flamurit në Vlorë dhe Lidhjes së Prizrenit.

“Kongresi i Lushnjës miratoi Kushtetutën e parë, në të cilën vendosën si themel sistemin e demokracisë perëndimore, shpalli Shqipërinë Republikë dhe 25 janarin si Ditën e Republikës. Qeveria e Sulejman Delvinës, në një hark kohor të shkurtër, u vendos në Tiranë, pasi Kongresi vendosi Tiranën si kryeqytet të vendit. Me të gjitha mënyrat diplomatike, por edhe me rezistencë, ai nxori nga pushtimi, një nga një, territoret shqiptare”, u shpreh kreu i qeverisë. Në fjalën e tij Berisha vlerësoi figurën e Sulejman Delvinës si diplomat të përmasave ndërkombëtare, Ahmet Zogun si burrë të pashembullt në historinë e vendit dhe Mehmet Konicën, Sotir Peçin, Ndoc Çobën, Eshref Frashërin dhe Ali Rizën.

“Këtu para meje kam një pasardhës të imzot Luigj Bumçit. Rastësia bëri që ai sot është ministër i Kulturës dhe e ka me meritë këtë detyrë. Së bashku me ne, këtu, është kryetarja e Parlamentit, pasardhëse e Ndoc Çobës. Zonja kryetare, të gjithë u detyrohemi paraardhësve. Këtu është drejtoresha e Arkivit të Shtetit, mbesa e Hoxha Kadrisë, ministrit të Drejtësisë së qeverisë së Lushnjës, një përpjekje e këtij burri të madh për çështjen kombëtare. Kemi këtu Princin Leka I, gjyshit të të cilit shqiptarët i detyrojnë ekzistencën e shtetit të tyre dhe ndërtimin e një shteti në frymën dhe vokacionit perëndimor”, u shpreh Berisha në fjalën e tij.

Fino: S’mund ta lija kryetarin e Bashkisë vetëm me Berishën

Deputetët Partisë Socialiste, Bashkim Fino dhe Arben Çuko, i janë bashkuar dje festës së organizuar me rastin e 92-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, ku mori pjesë dhe Kryeministri Sali Berisha e kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, Fino theksoi se prezenca e tij në Lushnjë ka të bëjë me postin e tij të sekretarit për Pushtetin Vendor në PS. “Festa organizohej nga kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, që është dhe i zgjedhur i Partisë Socialiste. Prania ime në këtë takim nuk ka asgjë të çuditshme. Mora pjesë në një festë të pushtetit vendor sepse dhe unë jam deputeti i zonës, gjithashtu dhe deputeti tjetër Arben Çuko. Kemi detyrim të jemi në festa që organizohen nga të zgjedhurit tanë. Unë jam sekretar për Pushtetin Vendor të Partisë Socialiste dhe festa në Lushnjë organizohej prej nesh”, pohoi Fino. Deputeti i PS-së pohoi ndërkaq se kjo festë rastisi me një datë me homazhet e 21 janarit, por prania e tij në Lushnjë ishte e detyruar. “Në jemi të detyruar të marrin pjesë në këtë festë, nuk mund ta lëmë të zgjedhurin tonë vetëm me Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin. Për fat të keq, përkoi me homazhet e 21 janarit dhe prania ime nuk ka asgjë të keqe, edhe pse të keqinterpretohet”, u shpreh Bashkim Fino.

 

Protestë para se të vinte Berisha

Vizita e Kryeministrit Berisha në Lushnjë në këtë ditë ka ngjallur edhe reaksion te disa qytetarë lushnjarë. Këta të fundit, edhe pse të paktë në numër, kanë protestuar kundër ardhjes së tij në qytet, në një ditë kur në Tiranë po zhvilloheshin homazhe për katër të rënët në 21 janarin e vitit të kaluar. Njëzet minuta përpara se kreu i qeverisë të mbërrinte në qytet, ku ishin marrë të gjitha masat për ceremoninë e 92-vjetorit të Kongresit, rreth 15 persona janë mbledhur në sheshin kryesor ku kanë protestuar paqësisht dhe më pas janë larguar. Mbështetësit e Partisë Socialiste e kishin paralajmëruar më parë protestën e tyre. Kreu i qeverisë ka mbërritur në Lushnjë në orën 09:30, ku pasi është ndalur në sheshin para Bashkisë, ka vizituar nga afër shtëpinë muze të Kongresit e pastaj, në orën 11:00, është zhvilluar takim përkujtimor në sallën e qendrës kulturore “Vaçe Zela”.

DELVINË, PËRKUJTOHET KONGRESI I LUSHNJËS

DELVINE – Përvjetori i Kongresit të Lushnjës është përkujtuar dje edhe në qytetin e Delvinës. Intelektualë dhe qytetarë delvinjotë u mblodhën paraditen e së shtunës për të përkujtuar bashkëqytetarin e tyre, Sulejman Delvina, që Kongresi i Lushnjës, në vitin 1920, e zgjodhi atë Kryeministër të Shqipërisë, ku u quajt njëkohësisht edhe Kryeministri i parë i Qeverisë Demokratike të ‘20-s. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Delvinës, Dhurim Alinani, ka vlerësuar figurën e Sulejman Delvinës, duke e quajtur atë atdhetar, patriot, njeri i respektuar, diplomat mendjendritur, profesor dhe bir i Delvinës.

MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura