Berisha: Motoja e fushatës, mjedisi

Mar 11, 2011 | 12:49

Kryeministri Sali Berisha tha dje se mbrojtja e mjedisit do të jetë një nga drejtimet kryesore të projektit të kandidatit të PD-së, për Bashkinë e Tiranës. Pas një takimi në Kongresin Mjedisor “Do it Green” (Bëje atë të gjelbër), një iniciativë e shoqatës AAYSGE dhe me mbështetje të Ministrisë së Mjedisit, kreu i maxhorancës tha se kjo do të jetë një prej motove të demokratëve në zgjedhjet lokale. “Ishte një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm i organizatave shqiptare dhe europiane për mjedisin, nën moton “Do it Green”. Kjo është një moto e shkëlqyer, me të cilën interesat e qytetarëve, interesat e fëmijëve, të moshuarve, familjeve, komuniteteve, marrin përgjigjen më të mirë. Asgjë nuk është e lidhur më shumë me jetën sesa mjedisi, asgjë nuk është e lidhur me mjedisin më shumë sesa gjelbërimi dhe e gjelbërta. Ndaj dhe unë dua t’i garantoj këta kongresmenë të rinj, se kjo do të jetë një nga motot kryesore të fushatës sonë elektorale”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Sipas Berishës “këto zgjedhje për maxhorancën janë dhe do të jenë zgjedhjet për interesat më jetike të qytetarëve shqiptarë, të fëmijëve të tyre, familjeve të tyre, të komunitetit të tyre. Pra, do të jenë zgjedhje në të cilat ne do të përqendrohemi tërësisht në problemin e qytetit, të fshatit, të bllokut, të lagjes, të familjes. Do të bëjmë gjithçka me një fushatë të qytetëruar, do të rrisim vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë jetike të mbrojtjes dhe të zhvillimit të mjedisit. Do të bëjmë gjithçka që problemeve ekzistuese t’u japim përgjigjet më të mira, me standardet më të mira”. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, Berisha tha se Tirana është një nga qytetet më të ndodhura në Europë dhe botë. Ai shtoi se ky problem do të marrë fund pas zgjedhjes së kryetarit të ri të bashkisë, ndonëse nuk përmendi emrin e tij. “Tirana përbën problemin më madhor mjedisor të Shqipërisë dhe unë këtë e them sepse e ka përcaktuar Organizata Botërore e Shëndetësisë; këtë e kanë përcaktuar të gjitha institucionet më serioze ndërkombëtare, që merren me mjedisin dhe shëndetin. Natyrisht, është punuar dhe po punohet me intensitetin më të madh për t’u dhënë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha problemeve që kanë katandisur Tiranën në një nga qytetet me ndotjen më të lartë në Europë dhe në botë për sa i përket ajrit, por ka edhe probleme të tjera. Se cila është platforma jonë për këtë, kini durim që ta dëgjoni atë nga kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës”, u shpreh Kryeministri. I pyetur se kur do të bëhet publik emri i kandidatit të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 8 majit në Tiranë, Berisha tha se forumet e selisë blu janë duke vazhduar procedurën e përzgjedhjes së emrave të kandidatëve. Sipas tij, shumë shpejt do të bëhet publik edhe programi me të cilin kandidatët e PD-së do të kërkojnë votat e qytetarëve. “Sot nuk është mbledhja e forumit, por shumë shpejt do t’i mësoni dhe ju garantoj që strukturat e Partisë Demokratike, së bashku me qytetarët, po bëjnë përzgjedhjet më të shkëlqyera për qytetarët e tyre të parë. Kështu që forumet do të mblidhen për të bekuar atë ç’ka po propozojnë qytetarët në strukturat e Partisë Demokratike, në të katër anët e vendit. Puna është intensive dhe ju e dini që ne prej kohësh kemi dhënë udhëzimin që të fillohet puna për programin dhe tani ato janë në finalizimin e tij”, përfundoi fjalën e tij Berisha.

Arvizu: Debat Rama-Basha, nëse do jenë kandidatë

Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, tha dje nga qyteti i Kukësit se nëse Rama dhe Basha do të jenë kandidatë për zgjedhjet e 8 majit në Tiranë, ata duhet të dalin në një debat televiziv sipas modelit amerikan. “Nëse për Bashkinë e Tiranës do të garojnë Rama e Basha, të dy kandidatët duhet të përballen në një debat televiziv”, u shpreh diplomati amerikan në vendin tonë. Ai shprehu shqetësimin për mungesën e dialogut politik në vend. “Unë dua të them se shumë prej nesh janë jashtëzakonisht të zhgënjyer që të dyja partitë kryesore nuk kanë pasur asnjë dialog gjatë gjithë kohës, që kur kanë përfunduar zgjedhjet e 2009-ës. Mendoj se opinioni i njerëzve dhe popullit për zgjedhjet e vitit 2009 është se pati disa probleme teknike, por në mënyrë të përgjithshme këto zgjedhje ishin të mira. Por, ka pasur probleme. Kishte disa çështje, të cilat pas këtyre zgjedhjeve kishin mundësi të diskutoheshin më vonë, por kjo kohë kur ato mund të diskutoheshin ka kaluar. Unë mendoj se ka akoma vend për t’u ulur dhe diskutuar”, ka deklaruar Arvizu.

PS: Fajin për ndotjen e ka Saliu

Partia Socialiste reagoi dje përmes anëtares së Asamblesë Kombëtare, Megi Ajtyresa, duke thënë se fajin për ndotjen në kryeqytet e ka Kryeministri. “Sipas Saliut, një ministër që iu përgjigj me 4 plumba vdekjeprurës protestuesve që kërkonin punësim e mirëqenie, tani na paska të drejtën të kërkojë edhe votat e kryeqytetasve. Saliu flet për gjelbërim, por e ka fajin ai dhe askush tjetër që në Shqipëri pyjet janë rrafshuar nga sharrat e kryekomunarëve demokratë”, tha Ajtyresa.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura