Berisha: Mes PD e PS ka kontakte

Nov 9, 2011 | 9:55

Kryeministri Sali Berisha ne konference per shtyp

Kryeministri konfirmon se maxhoranca dhe opozita janë afër një marrëveshjeje. “Rama bllokoi statusin, s’e bëri as Shesheli në Serbi”
“Sot është 8 nëntori, nuk jam këtu për t’i uruar zotit Rama 70- vjetorin”. Kështu e ka nisur konferencën e djeshme për shtyp Kryeministri Sali Berisha, teksa doli para mediave për të falënderuar BE-në për vendimin e një viti më parë për heqjen e vizave me Shqipërinë. Ai tha se ky vendim u bë i mundur edhe falë faktit se nuk kërkohej që të miratoheshin ligje me 3/5 e votave, për të cilat PS-ja nuk dha konsensusin. Sipas Berishës, mes dy forcave kryesore politike ka kontakte për reformën zgjedhore.
Sot është përvjetori i heqjes së vizave, nesër është përvjetori kur Shqipërisë i është refuzuar për herë të parë statusi i vendit kandidat për shkak të ngërçit politik. A jemi sot më pranë zgjidhjes së këtij ngërçi, apo arritjes së një kompromisi me Partinë Socialiste?
Le të flasim hapur, sepse nuk ka mbetur njëri nga Konispoli në Vermosh, që nuk e ka të qartë se statusi u mor peng për interesa personalë të pushtetit të zotit Rama, që bllokoi dhe nuk lejoi grupin e tij të votonte. Një akt që s’e ka bërë Shesheli në Serbi, një akt që s’e kanë bërë forcat më ekstremiste në vendet e tyre. Nuk lejoi grupin e tij të votonte 4-5 ligje, që kërkoheshin me shumë të drejtë nga Komisioni Europian, si dëshmi e një vullneti që ky vend do të votojë të gjitha reformat e kërkuar. E rëndësishme është se ky proces është i parikthyeshëm. Më 8 maj, zoti Rama përjetoi humbjen më të hidhur të të gjitha llojeve të humbura. Nuk e di, do ta ngushëllojë ai veten duke shpallur veten “kurban”, por çfarëdo që ta shpallë ai veten, do të mbetet humbësi i pesëfishtë, humbës me 141 mijë vota në shkallë vendi, të konvertuar me 19 deputetë më pak sesa mazhoranca qeverisëse. Humbës në të gjitha qarqet e vendit, përveç një. Humbës në shumicën e minibashkive të Tiranës. Humbës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, humbës në këshillat bashkiakë të minibashkive, humbës me 91 vota në garën personale me njeriun që e quajti sozi, çfarë nuk e quajti, por që faktikisht u detyrua t’i lëshojë karrigen, mirë e bukur dhe duke i numëruar zotëria e tij çdo votë para syve e para mediave. Ky është historiku, procesi është i rëndësishëm, por duhet të ecë dhe do të ecë vetëm mbi bazën e respektimit të parimeve themelore, pa të cilat shqiptarët nuk janë dhe nuk do të mund të jenë të lirë.
Ju thoni se këtë çështje do ta zgjidhin shqiptarët në vitin 2013, kjo do të thotë se deri atëherë nuk do ta marrë statusin e vendit kandidat?
Kjo do të thotë që qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, por do të thotë nga ana tjetër se qeveria nuk është ajo që disiplinon apo udhëheq opozitën. Jo, opozita është sovrane në këtë vend dhe ky është një parim shumë themelor, i cili nuk mund të shkelet kurrë. Nuk keni parë ndonjëherë që unë të bazoj veprimet apo aktet e mia në prapashpinë, është jashtë kulturës sime politike ajo. Unë bazoj qëndrimet në transparencë të plotë. Pra, zoti Rama bllokoi dy vite me radhë, thirri zgjedhjet lokale plebishitare, është shumë e vërtetë, ai tha se ky është referendum kundër qeverisë dhe qeveria doli me 141 mijë vota më shumë. Ai ka një veti që realitetin e percepton siç e do vetë dhe sikundër nuk është. Pra çfarë ndodhi, janë shqiptarët që do e zgjidhin problemin më 2013-n, pas 2013-s këtë e dinë qytetarët e këtij vendi, unë jam Kryeministër, qeveris mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës, por e sigurt është që qytetarët do ta zgjidhin. A e dëgjuat atë, a ju mbeti në mendje, a u kthyet në moshën 3-4 vjeçare, kur bërtisnit gjithë ditën e treta e vërteta në lojën me litar. Se ai edhe të katërtës i thotë e tretë, por kjo është punë e tij.
Sot opozita do të çojë në Kuvend axhendën e saj për integrimin, por është folur për një marrëveshje të fshehtë mes PD dhe PS për ligjet me 3/5 dhe reformën zgjedhore. Sa e vërtetë është kjo?
Midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në mënyrë të padiskutueshme ka pasur, ka dhe do të ketë kontakte, kjo është gjeja më normale. Këto kontakte janë të domosdoshme, për të diskutuar për çështje, të cilat janë të një rëndësie të caktuar të dyanshme. Është e sigurt që çdo propozim të opozitës, ne e shqyrtojmë me seriozitetin e merituar. Ky është qëndrimi ynë konstant, i përhershëm, doktrinar, programor i PD. Ndaj dhe këtu, nuk ka asgjë për t’u çuditur për sekrete, këtu nëse diskutohet, diskutohet për tema, të cilat janë bërë publike dhjetëra e qindra herë nga ju.

Topi e Volfarth

Ambasadori i OSBE: Programi i PS, të tregohet si do financohet
Volfarth: Fjalët për marrëveshje janë, duhet të pasohen nga veprat
Ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, tha dje se programi i Partisë Socialiste është në proces diskutimi dhe kërkoi që ai të shoqërohet me faturë financiare për disa nga çështjet që ngre. “Është shumë e rëndësishme që partitë e mëdha, siç është Partia Socialiste e Shqipërisë, të zhvillojnë programet e tyre. Ky në vetvete përbën një progres madhor. Nëse informacionet që kam janë të sakta, programi nuk është përfunduar, është ende në hartim e sipër. Duhen edhe dy vjet deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe është shumë inkurajuese të shohim zhvillimin e këtij procesi. Testi i zbatueshmërisë do të vijë pasi programi të përfundohet, duke filluar nga çështjet e buxhetit dhe se si mund të financohen disa nga elementet. Dokumenti i ka të gjitha mundësitë që të qartësojë se cili mund të jetë opsioni në zgjedhjet e ardhshme dhe mendoj se qytetarët kanë të drejtë ta kenë këtë qartësi. Thënë shkurt, është pa dyshim e rëndësishme të shohim se si do të zhvillohen çështjet e detajuara në të ardhmen”, u shpreh ambasadori i OSBE-së në Tiranë, i pyetur nga gazetarët lidhur me programin e ri të PS të miratuar në Kongresin e së shtunës. I pyetur rreth vullnetit të partive politike për nisjen sa më parë të reformës zgjedhore, Volfarth tha se është momenti që të shohim vepra. “Është shumë e rëndësishme të shohim hapa konkretë. Fjalët ekzistojnë, tani duhet të pasohen nga veprat. Vendi ka nevojë të shohë të bëhen hapa përpara, përfshirë dhe duke filluar nga reforma e Kodit Zgjedhor”, u shpreh Volfarth. Këto deklarata ambasadori i OSBE-së i bëri pas Konferencës së zhvilluar në Tiranë me temën “Rritja e rolit të gruas në qeverisje: Premtim i mbajtur?”

© Panorama.al

Te lidhura