Berisha,konsujve të nderit:Bashkë për zhvillimin

Nov 29, 2011 | 10:28

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha, duke falënderuar 45 konsujt e Nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë për punën që bëjnë për imazhin e vendit tonë, i ka ftuar ata të punojnë së bashku për arritjen e synimit të madh ‘Shqipëria, vend i zhvilluar’.

Sipas Berishës është koha të përshpejtojmë zhvillimin e Shqipërisë, është koha të shfrytëzojmë të gjitha potencialet e saj. Ai ka bërë një panoramë të ndryshimit të vendit, falë reformave, reduktimit të taksave, rritjes ekonomike, falë modelit të suksesshëm që u përdor në kohë dhe shtoi se vendi ka ende rrugë të gjatë për të bërë drejt integrimit.

“Shqipëria ishte vendi më i kolektivizuar në botë. Sot, Shqipëria është një nga vendet më privatë në botë. Qeveria e Shqipërisë qëndron mes 10 qeverive më të vogla në planet. Shqipëria po e bazon zhvillimin e saj plotësisht mbi iniciativën e lirë, duke shfrytëzuar liritë”- tha Berisha.

Kreu i qeverisë, ka garantuar konsujt se po punohet për ta ndryshuar vendin. “Qeveria ime u angazhua në ndërtimin e një rrjeti të ri rrugësh në vend, bazuar në konceptin, shqiptarët nga çdo kënd i vendit të vijnë në Tiranë duke kursyer të paktën më shumë se 60 për qind të kohës. E ndoqëm këtë qëllim dhe tani kemi shtruar më shumë se 9000 kilometra rrugë. Për një vit, ne mbarojmë punën më të vështirë. Mbetet ende punë për t’u bërë, por ne po punojmë mbi rrugët dytësore dhe tretësore. Kështu, në dy vite do të përfundojmë një rrjet të ri rrugor. Pa dyshim do të jetë midis rrjeteve më të rinj, më të mirë dhe më të gjerë në rajon”- tha ai.

Sipas tij, vendi ka mundësi të madhe për t’u shndërruar krejtësisht në një vend të energjisë së gjelbër dhe për t’u bërë një superfuqi e vogël e energjisë së gjelbër në rajon. “Ne duhet të ndërtojmë më shumë se 443 hidrocentrale. Kemi nënshkruar 110 kontrata për ndërtimin e rreth 300 hidrocentraleve, 72 prej tyre janë nën ndërtim, ose janë përfunduar, ose ka filluar puna. Të tjerë po presin investitorë. Prandaj do ta vlerësoja shumë çdo lloj inkurajimi që do të mund t’i jepni bizneseve për t’u bashkuar me Shqipërinë në këtë përpjekje të madhe të energjisë së rinovueshme”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura