Ish-drejtuesi i Policisë, Mit’hat Havari ka rrëfyer një ndër momentet më të vështira të karrierës së tij kur ai drejtonte komisariatin në Shkodër në vitin 1998, kur u përball me akuzat e Sali Berishës se ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Në intervistën për emisionin “Kjo Javë” në News24, ai theksoi se nuk kishte pasur asnjëherë lidhje me Sigurimin e Shtetit dhe se e kishte përgënjeshtruar akuzën sapo ishte kthyer në Tiranë përmes mediave. Ai theksoi se kjo deklaratë e kishte dëmtuar rëndë psikologjikisht.
Sipas tij, deklarata kishte për qëllim t’i ulte dinjitetin dhe ta dëmtonte në opinionin publik, ndërsa ai ishte i angazhuar në luftën kundër bandave kriminale në qytet.
“Në shkurt të 1998 isha drejtor policie në Shkodër, luftoja me bandat e tyre, Berisha del para mediave dhe thotë se jam bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, donte të më ulte dinjitetin. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë këtë akuzë. Sigurimi i Shtetit nuk ka patur shans të më afrohet mua.”, u shpreh Havari.
Ai shtoi se kishte menduar edhe të shkruante një libër lidhur me këtë çështje.
“Me kë të merresh, ai vjell nga goja, është i kalkuluar. Kur më ra në dorë dosja në 2019, ma dha drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula. Në momentin që mora dosjen, unë kam bërë shkrim tek Gazeta “Panorama” dhe e kam denoncuar Berishën publikisht dhe kisha menduar të shkruaja libër.”, shtoi ai.
Pjesë nga fjala e tij:
Mit’hat Havari: Në këto 35 vjet, shqiptarët janë shthurur mendërisht, kanë akuzuar shumë njerëz si bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Në fakt më kanë akuzuar dhe mua, Sali Berisha. Në shkurt të 1998 isha drejtor policie në Shkodër, luftoja me bandat e tyre, Berisha del para mediave dhe thotë se jam bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, donte të më ulte dinjitetin. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë këtë akuzë. Sigurimi i Shtetit nuk ka patur shans të më afrohet mua.
Berisha është i lig, pas Enver Hoxhës është personazhi më negativ, për pushtetin është i aftë të bëjë gjithçka. E kam përgënjeshtruar në media sapo jam kthyer në Tiranë. Pas deklaratës së Berishës, më kanë shkruar njerëz të shumtë në mesazhe private. Më dëmtoi psikologjikisht dhe kush më akuzoi, bisha komuniste, ç’mund ti bëja unë atij? Ai ishte sekretar i partisë, ishte mjek i xhelatëve, ata e shkolluan, i dhanë bukë.
Ka shkuar në Paris tek xhelati nr.3 tek Hysni Kapo që vuante nga tumori në pankreas, priste me jargë të priste të hynte në dhomën e tij. Dhe i tha Hysniu lëre të futet se është shoku jonë. Ma ka treguar Sabit Brokaj. Ky është dëshmitar i gjyqit politik të Hysen Shoshorit nga Tirana, është me zë dhe figurë.
Me kë të merresh, ai vjell nga goja, është i kalkuluar.
Kur më ra në dorë dosja në 2019, ma dha drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula. Në momentin që mora dosjen, unë kam bërë shkrim tek Gazeta “Panorama” dhe e kam denoncuar Berishën publikisht dhe kisha menduar të shkruaja libër.
© Panorama.al












