“Pallati i Drejtësisë, pjesë e bulevardit të Tiranës”

Nov 18, 2011 | 13:56

Kryeministri Sali Berisha lançoi sot një tjetër projekt të rëndësishëm të qeverisë së tij, ngritja e Pallatit të Drejtësisë.

Në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, Berisha prezantoi një paketë investimesh që kap një vlerë totale prej 83 milionë euro.

Investimi më i rëndësishëm i kësaj pakete është Pallati i Drejtësisë, tha ai.

“Ministria e Drejtësisë me Komisionin kanë bërë një punë të lavdërueshme, bashkë më Bashkinë e Tiranës kanë gjetur truallin, i cili vendoset në trajektoren e Bulevardit të ri, që Bashkia është e vendosur ta ndërtojë brenda mandatit të parë të zotit Basha.”- tha Berisha.

Duke e vlerësuar Bulevardin e Tiranës si një nga më të bukurit në Evropë, kreu i qeverisë shtoi se, atij do t’i shtohet bukuria kur një nga  ndërtesat e reja buzë Bulevardit do të jetë Pallati i Drejtësisë.

Pallati i Drejtësisë është konceptuar si një një kompleks ndërtesash, vazhdoi më tej Berisha, ku bëjnë pjesë, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Tiranës, Gjykata Kushtetuese, duke shtuar se ky projekt do të jetë realisht një qytezë më shumë se sa një Pallat i Drejtësisë, çka sipas kryeministrit, është shumë i domosdoshëm për funksionimin e saj.

Në investime të tjera konkrete në këta paketë, përfshihen investimet në sistemin e kanalizimeve të Vlorës, By Pass-i i Rrogozhinës, etj.

Përfitues të paketës 83 milionë eurosh do të jenë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, ku do të ndërtohet një doganë të re në Hanin e Hotit, Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë, etj.

© Panorama.al

Te lidhura