Kryeministri Sali Berisha konfirmon kandidaturën e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, për Bashkinë e Tiranës.Kreu i Qeverisë ishte në qytetin e Elbasanit për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Verës, ku nuk shmangu as deklaratat politike. Në përfundim të vizitës në panairin e qytetit, Berisha tha se vitin e ardhshëm Tirana dhe Elbasani me kryebashkiakët e rinj pas 8 majit do ta organizojnë së bashku festën e 14 Marsit. “Vitin tjetër, kryebashkiaku i ri i Tiranës dhe kryebashkiaku i ri i Elbasanit do të bëjnë një axhendë të përbashkët për të festuar Ditën e Verës”, u shpreh Berisha. I pyetur nëse do të jetë Lulzim Basha kandidati i maxhorancës së djathtë në bashkinë e kryeqytetit, kryeministri e pohoi këtë shkurt, me dy fjalë: “Kush tjetër?”. Në të njëjtën kohë, përsa i përket Elbasanit, Berisha kishte pranë gjatë gjithë aktivitetit Durim Hushin, kandidatin e LSI-së, të cilin do ta mbështesë PD-ja në zgjedhjet lokale. Duke folur në qarkun me 14 deputetë, kreu i maxhorancës u bëri thirrje qytetarëve që do të dalin në votime në zgjedhjet lokale, që të votojnë alternativën më të mirë. “Unë shfrytëzoj këtë rast t’ju bëj thirrje qytetarëve të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë, që secili prej tyre të japë kontributin personal në demokracinë shqiptare, duke votuar të lirë, duke votuar në zgjedhje të lira e të ndershme, duke votuar ballëlartë e krenarë, sepse ne shkojmë në këto zgjedhje me një prej infrastrukturave zgjedhore më moderne në botë. Ne shkojmë në këto zgjedhje, pasi sistemi i numërimit të votave në vendin tonë u faktua si sistemi më i saktë e më preciz”, theksoi më tej kryeministri.
Zgjedhja e kandidaturave
Në një kohë që kryeministri Berisha konfirmon kandidatin për Bashkinë e Tiranës dhe del në Elbasan në krah të Durim Hushit, selia blu vazhdon të përcaktojë kandidaturat për 384 bashkitë dhe komunat në të gjithë vendin. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur për gazetën se paralelisht me caktimin e zonave të lira për aleatët, po administrohen dhe kandidaturat që vijnë nga baza e partisë për secilën njësi vendore. Por ndryshe nga katër vjet më parë, kur të gjitha kandidaturat që vinin nga degët e PD-së diskutoheshin në mbledhjen e kryesisë së partisë dhe aty dilte kandidatura përfundimtare, këtë vit procedura do të jetë ndryshe. Mësohet se kryeministri Berisha u ka dhënë kompetencë të plotë grupeve të punës, të cilat janë ngritur për çdo qark që të administrojnë dhe në fund të vendosin se cilat do të jenë kandidaturat që do të hidhen në garë. Emrat që do të përzgjidhen nga grupet e punës do t’i paraqiten Kryeministrit përpara se të dërgohen zyrtarisht edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Burimet bëjnë të ditur se kjo procedurë e re është vendosur për shkak se kryesia e vjetër nuk mund të mblidhet për të përcaktuar kandidatët, pasi 7 nga 27 anëtarët e saj nuk janë më pjesë e Këshillit Kombëtar, i dalë nga votimi i Kuvendit në dhjetor 2010. Statuti i PD-së përcakton se janë pikërisht Këshilli Kombëtar dhe kryesia e partisë forumet që miratojnë kandidaturat elektorale, por këtë vit, për shkak të moszhvillimit të zgjedhjeve për anëtarët e kryesisë, këtë kompetencë do ta marrin grupet e punës, që përbëhen nga ministrat, deputetët e zonës dhe kryetarët e degës së partisë për secilin qark. Në nenin 37 të statutit të PD-së, thuhet se “Këshilli Kombëtar vendos të gjitha kandidaturat elektorale, sipas propozimeve të Kryesisë së PD-së, me përjashtim të atyre që ky statut i parashikon ndryshe”.
ADI SHKEMBI











