Qeset plastike nuk do të lejohen më të përdoren në vendin tonë.Aktualisht, me gjithë riskun për shëndetin, ato janë të kudogjendura. Të mbështjella me to tregtohet edhe buka, produkti bazë i tryezave tona. Jemi ndër të paktat vende që i përdorim kaq masivisht plastmaset, ndërsa në BE ka një sërë kufizimesh e penalizimesh. Në kuadrin e një plani masash për ruajtjen e mjedisit, kreu i qeverisë, Sali Berisha, u shpreh i prerë lidhur me këtë nismë ligjore. Dje, gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha i kërkoi ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, të sjellë menjëherë projektligjin për miratim. Në zbatimin e këtij ligji pritet të përfshihen edhe kryetarët e bashkive dhe komunave, të cilët, në rast se nuk mbajnë pastër territorin ku ata veprojnë, do të penalizohen me sanksione të rënda nga gjobë deri në shkarkim nga detyra. Sipas Kryeministrit, kryetarët e komunave dhe bashkive do të kenë sanksione nga më të rëndat, gjer edhe në shkarkim ekzekutiv nga detyra. Ai shtoi se ligji do të përmbajë të tëra masat shtrënguese, duke filluar me heqje të rrogës personale e me radhë. “Zoti ministër, unë pres vendimin për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në Republikën e Shqipërisë. Kryetarët e komunave dhe të bashkive do të kenë sanksionet më të rënda, deri në shkarkimin ekzekutiv nga detyra në qoftë se nuk marrin masa për mirëmbajtjen e territorit të tyre”, tha Berisha. Një tjetër draft që pritet të kalojë në qeveri është edhe pastrimi i territoreve nga grumbullimi i mbetjeve urbane dhe varrezat e makinave. Berisha paralajmëroi se është ndërtuar një platformë në të cilën parashikohet zhdukja e varrezave të makinave. ”Një nga problemet e mëdha janë kodrat e ndryshkut që janë ngritur kudo nga automjetet e hedhura. Ato do të zhduken me shpejtësi të madhe. Ministria e Mjedisit, bashkë me Ministrinë e Ekonomisë, kanë përfunduar një platformë, por kusht kryesor do të jetë zhdukja e tyre”, tha Berisha. Ai shtoi se për të gjithë ata që do të shkelin ligjin, do të ketë penalizime. “Nuk ka gjë më anormale që një mjet të rëndësishëm tëndin ta shndërrosh në një mjet fatkeqësi për të tjerët, ndryshku, helmesh etj. Do të fillohet me një veprim energjik të shpejtë për zhdukjen e tyre nga faqja e këtij vendi”, tha Berisha. Ai e vuri theksin edhe tek edukimi që duhet t’u bëhet fëmijëve. “Zoti ministër i Arsimit, është shumë e domosdoshme që kjo edukatë të fillojë që në klasën e parë, pasi nuk ka rëndësi t’u mësojnë për stronciumin apo moldemin, është një mijë herë më mirë t’u mësojmë se ç’do të thotë të kemi ambient të papastër. Kemi 500 mijë fëmijë, pa llogaritur studentët, të cilët duhet t’i bëjmë promotorë të një Shqipërie e mjedisi tjetër”, tha Berisha.
Edukimi
Në kurrikulat e lëndëve të Kimisë, Biologjisë dhe Edukatës Qytetare do të shtohen orët për ruajtjen e mjedisit. Këtë kërkoi dje Kryeministri. “Iu bëj thirrje të gjithë arsimtarëve të nisin një lëvizje të fuqishme që të përmbysim një psikologji që pajtohet me një të keqe që nuk duhej pajtuar kurrë, që nuk e kemi në shtëpitë tonë, në klubet, restorantet, por e kemi te pragu i derës, sapo dalim”, tha Berisha.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











