Berisha: Historianët të gjejnë të vërtetën në arkiva

Sep 2, 2011 | 10:02
Kryeministri Berisha në ceremoninë e djeshme

“Iu bëj thirrje historianëve të këtij vendi të hapin arkivat dhe t’u thonë shqiptarëve të vërtetat historike të tyre ashtu siç janë”.Ky ishte mesazhi që Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u drejtoi dje historianëve prej një nga institucioneve që merret pikërisht me ruajtjen e historisë, Muzeu Historik Kombëtar. Dje, me rastin e 83-vjetorit të Mbretërisë Shqiptare, pas prezantimit të librit “Monarkia shqiptare”, në hollin e këtij muzeu u hap një ekspozitë me objekte të shek. XVII-XVIII, një koleksion i familjes mbretërore, dhuruar nga familja Adamidi Frashëri. I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte Kryeministri Berisha, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, Princi Leka dhe e fejuara e tij, Elia Zaharia etj. Pas një prezantimi të shkurtër të ekspozitës nga ana e drejtorit të MHK-së, Luan Malltezi, fjalën e mori Kryeministri Berisha, i cili vlerësoi rolin që Mbreti Zog ka luajtur në unitetin e Shqipërisë, në shpëtimin e vendit nga copëtimi dhe përpjekjet për civilizim, çka nuk qe aspak e lehtë në një vend të përçarë e bërë pre e fqinjëve. “Ahmet Zogu dhe Mbretëria u përball me të gjitha armiqësitë, racizmat e egër antishqiptarë rajonalë dhe ndërkombëtarë, por me një diplomaci të shkathët bëri gjithçka që të konsolidojë pozitën politike të shtetit të ri shqiptar. U përpoq të krijojë miqësi e lidhje në mënyrë që shteti shqiptar të konsolidohej. U angazhua në një ndërtim të suksesshëm të vendit, duke u përkushtuar dhe Mbretëria u shndërrua pa diskutim në një shtet, në një monarki konstitucionale, në të cilin vendi po zhvillohej”, u shpreh ai, duke shtuar se Mbretëria shqiptare do të ishte një nga viktimat e para të Luftës së Dytë Botërore, çka çoi në emigrimin e familjes mbretërore, por kjo nuk i ndaloi ata që për së largu të punonin për Shqipërinë. Berisha e quajti “fatkeqësia e dytë më e madhe kombëtare pas pushtimit të vendit” ndalimin e kthimit të Mbretit trashëgimtar dhe të kurorës në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës, që u instalua pas Luftës së Dytë Botërore. “Megjithatë, Mbreti, Oborri dhe mbështetësit e tij për 50 vite vazhduan përpjekjet e tyre të gjithanshme për Shqipërinë, për Kosovën, për kombin shqiptar në tërësi. Historia vazhdon të jetë një njerkë e keqe për shqiptarët dhe kësaj radhe e kam fjalën në vepra, në shkrime, ajo nuk u ka thënë shqiptarëve akoma të vërtetat e tyre. Ajo sërish është e mbuluar me hirin toksik të regjimit diktatorial 45-vjeçar”, tha Kryeministri, ndërsa u bëri dhe një herë thirrje historianëve t’u kthehen arkivave e t’u japin shqiptarëve të vërtetën. Pas përshëndetjes së Princit Leka, një nga pinjollët e familjes Adamidi shoqëroi të ftuarit për të parë nga afër objektet e paraqitura në ekspozitë.

Koleksioni 130-vjeçar

Në vitrinat e xhamta janë vendosur me kujdes veshje të punuara në ar, xhubleta e jelekë, shpata me tehe të shkruar e këllëfë të dekoruar, revolverë me doreza të punuara në argjend, skica shqiptarësh me veshje karakteristike, realizuar nga të huaj që kanë shkelur këto vise. Koleksioni i krijuar gjatë viteve 1880-1970, i ngritur së pari nga Gjergj Adamidi bej Frashëri, ka qenë për 25 vjet nën kujdesin e kontit Jean d’Ogny, në kështjellën e Chapelle di Angillon në Francë. Në vitet 1920-1930 koleksioni u zmadhua nga djali i tij, Paul Adamidi Frashëri, që ia la këtë koleksion trashëgimi Princit Leka. Dëshira e tij ishte që nëse familja mbretërore kthehej në atdhe, të sillte edhe koleksionin mbretëror.

Një libër studimor për Monarkinë
Instituti i Historisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike prezantoi dje në ambientet e Akademisë së Shkencave përmbledhjen studimore “Monarkia Shqiptare (1928-1939)”. Në këtë libër, historianë shqiptarë e të huaj, si Bernd Fischer, Beqir Meta, Valentina Duka, Marenglen Verli, Jason Tomes, Francesco Guida etj., hedhin dritë mbi çështje të rëndësishme, si për kushtet historike dhe legjitimitetin e kalimit në regjimin monarkik, reformat sociale dhe ekonomike gjatë Monarkisë, krizën në marrëdhëniet shqiptaro-italiane.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura