Berisha,Saninos:Vullnet maksimal për konsensus

Nov 10, 2011 | 13:26

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka garantuar sot Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino se maxhoranca do të tregojë vullnet maksimal për gjetjen e konsensusit për plotësimin e kritereve të BE në rrugën e integrimit të vendit në BE.

Gjatë takimit të sotëm në kryeministri, Berisha e falënderoi Saninon dhe delegacionin e BE-së për kontributin e dhënë në çuarjen përpara të dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme, në kuadër të trajtimit të rekomandimeve të KE-së.

“Puna e mirë dhe arritjet e kohëve të fundit kanë hasur në vështirësi të cilat kapërcehen me dialog konstruktiv”- tha Berisha, duke siguruar atë se qeveria shqiptare ka vullnet të plotë për të finalizuar me sukses të gjitha përpjekjet për përmbushjen e 12 prioriteteve.

Sanino vlerësoi përpjekjet dhe qëndrimet konstruktive në lidhje me përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian. Ai vlerësoi hapat e bërë kohët e fundit në drejtim të zgjidhjes së një numri çështjesh të shtuara nga prioritetet e BE-së.

© Panorama.al

Te lidhura