Berisha: Dy variante për amnisti

Mar 10, 2011 | 10:38

Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë, zbardhi dy variantet kryesore, ku po rrihen diskutimet për amnistinë e plotë. Kështu, një nga këto variante është ajo e legalizimit të parave të padeklaruara nga ana e bizneseve dhe individëve, të cilët do të taksohen në një masë të caktuar, ndërkohë që pjesa e dytë është ajo që lidhet me faljen e gjobave. Prioritet si për faljen e detyrimeve të papaguara, si për deklarimin e parave të “fshehura” do t’i jepet biznesit të vogël, pasi, sipas kreut të Ekzekutivit, është pikërisht ky biznes që përbën shumicën dhe gjeneron punësim më të madh. Problemi kryesor i Qeverisë duket se është qëndrimi i opozitës, e cila parimisht më herët është shprehur kundër kësaj nisme. Kryeministri Sali Berisha, kërkoi dje që opozita të rishikojë qëndrimin e saj për amnistinë fiskale. Për t’u miratuar, ky projektligj kërkon shumicë të cilësuar me 3/5 e votave, pra mazhoranca ka nevojë për votat e opozitës për të miratuar amnistinë fiskale. “Amnistia kërkon 3/5 e votave në Parlament, pasi Kushtetuta përcakton 3/5 si kusht për t’u shpallur. Në këtë kontekst, unë ftoj opozitën të shqyrtojë projektin e Qeverisë, të amendojë këtë projekt mbi bazën e platformën që ka dhe ta votojë. Ndërkohë, duke ditur qëndrimin konstant obstruksionist të mbajtur prej saj në të gjitha rastet, ne duhet ta përgatisim projektligjin, zoti ministër, në dy variante: varianti i amnistisë dhe varianti i faljes”, tha dje Kryeministri. Lidhur me variantin e faljes së gjobave për biznesin, mazhoranca mund ta miratojë edhe e vetme këtë projektligj, i cili miratohet me shumicë të thjeshtë. Për Kryeministrin, do të ishte më e drejtë që të bëhej një amnisti e plotë, duke legalizuar paratë e fituara brenda ligjit nga bizneset apo individët, si dhe të faleshin gjobat dhe detyrimet e papaguara nga një pjesë prej tyre. Kjo, sipas Berishës, do të ketë impakt pozitiv në formalizimin e ekonomisë si dhe në rritjen e numrit të  punonjësve të deklaruar nga ana e bizneseve. Për pjesën e legalizimit të parave, Kryeministri kërkoi që të shihet me kujdes hartimi i projektligjit për të mos lejuar që të legalizohen para të fituara duke shkelur ligjin, pra para që vinë nga trafiqet si dhe para që vijnë nga korrupsioni i individëve afër pushtetarëve.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura