TIRANE- Është zhvilluar sot mbledhja e Komitetit Ndërministror për Integrimin. Në mbledhjen e drejtuar nga kryeministri, Sali Berisha ishte i pranishëm edhe zoti Robert Gielisse, Drejtor i Njësisë për Ballkanin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Komisionin Evropian, i cili bëri një prezantim rreth “Kontrollit të Brendshëm dhe Menaxhimit Financiar Publik”.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të bëjë më të mirën për të fuqizuar e konsoliduar më tej Auditin e Brendshëm, si një mjet shumë i rëndësishëm për eficencën dhe transparencën, e cila mbetet për t’u konsoliduar.
“Ne jemi optimist se duke punuar së bashku me ju, duke patur ndihmën tuaj, do të konsolidojmë këtë mjet kyç të administratës.”- tha Berisha.
Robert Gielissë, tha se Auditi i Brendshëm është një partner shumë i rëndësishëm për një institucion. Ai u shpreh se Kontrolli i Brendshëm Financiar Publik ka tri qasje kryesore: e para ka të bëjë me përgjegjshmërinë menaxheriale, e dyta ka të bëjë me Auditin e Brendshëm, e treta ka të bëjë me njësinë qendrore të harmonizimit.
I pranishëm ishte edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili theksoi se implementimi i procesit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në administratën shqiptare është në progres, janë miratuar të gjitha hallkat dhe janë ngritur strukturat.
Ministri Bode shtoi se Auditi i Brendshëm në vendin tonë është audit me status të nëpunësit civil.
© Panorama.al










