Berisha: Përgjigje problematikës së çdo qytetari

Mar 7, 2011 | 12:54

TIRANË- Përgjigjen e duhur ndaj problematikës dhe problemeve të çdo qytetari, aty ku banon. Me këtë porosi, kreu i qeverisë ka kërkuar angazhim maksimal nga deputetet në këtë fushatë elektorale, për të qenë shumë të ndjeshëm ndaj problemeve të komunitetit, pa përjashtuar asnjë prej tyre.

“Të kemi të përgatitur në këto zgjedhje projektin vendimtar të Shqipërisë, vend i zhvilluar. Nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa zhvillim të qëndrueshëm, nuk pajtohet zhvillimi me trashëgiminë mesjetare, ne do t’i kapërcejmë ato dhe të regjistrojmë në të gjithë territorin e vendit të gjithë problematikën, të përgatisim përgjigjet më të merituara”- tha Berisha, gjatë fjalës në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së.

Berisha ka kujtuar deputetet se ata operojnë në fushën e mundësive dhe asgjë nuk është e pamundur. “Ne kemi vështirësi, dobësi e të meta, por kemi mundësi të mëdha dhe do të shfrytëzojmë cdo mundësi tonën, për t’i dhënë përgjigje problematikës së qytetarëve shqiptarë aty ku janë, nuk braktisim asnjë komunitet dhe asnjë territor”- ka thënë prerë ai.

Berisha ka ftuar liderin e opozitës, Edi Rama të lexojë mesazhet e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, që kërkojnë zgjedhje lokale, si  një provë e qëndrimit ndaj lirisë.

Sigurisht, si gjithherë Berisha nuk ka lënë pa ironizuar Ramën. “Sa gjen eskimezë e arabë në fshatin tim të zbatojë ligjin, të miratuar në mënyrë konsensuale. Ato 4 vota do t’ia zbresim”- ka thënë ai.

© Panorama.al

Te lidhura