Berisha denoncoi fenomenin e ‘trenit bullgar’ në Elbasan, reagon Celibashi: Rasti duhet të hetohet, t’i jepet përgjigje shqetësimit

May 22, 2025 | 13:10

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, reagoi sot ndaj deklaratave të Sali Berishës për manipulim zgjedhor në Elbasan me të ashtuquajturin “tren bullgar”.

berisha celibashi

I pyetur nga gazetarët, Celibashi u shpreh se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dijeni për këtë rast, por theksoi se çdo denoncim i tillë duhet të hetohet nga organet kompetente.

“Jo, nuk kemi dijeni, por ajo që mund të them pa hezitim është që rasti duhet të hetohet nga organet e procedimit penal për t’i dhënë përgjigje shqetësimit të paraqitur publikisht,” tha Celibashi.

LEXO EDHE: “’Treni bullgar’ doli nga shinat dhe mbeti në stacionin e Pekishtit”- Berisha publikon videon: Në lokalin e fshatit u gjetën lista zgjedhësish dhe fletë votimi

Denoncimi i Berishes

Sali Berisha deklaroi sot se në fshatin Pekisht të Elbasanit, në një bar-kafe në pronësi të kryeplakut Dervish Beqiri, janë gjetur materiale zgjedhore dhe shuma të konsiderueshme parash, sipas tij për të blerë votat.

Sipas Berishës, informacioni i është përcjellë mbrëmjen e djeshme deputetit të ardhshëm të Elbasanit, Blendi Himci, i cili sot në mëngjes ka shkuar në ambientet e lokalit dhe ka gjetur aty fletë votimi, lista votuesish dhe materiale të tjera zgjedhore, në një vend të dyshuar si pjesë e asaj që Berisha e quajti “treni bullgar”.

“Treni bullgar mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty,” u shpreh Berisha, duke iu referuar një praktike të njohur për manipulimin e votave.

© Panorama.al

Te lidhura