TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar sot me kërkesën e opozitës për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, një nga favoritët për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të majit, ndonëse i pazyrtarizuar. Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë, Berisha i është drejtuar Bashës, duke e njohur me aksionin më të fundit të PS-së. “Fatmirësisht 8 Maji po afron dhe zoti Basha, e more vesh që kanë vendosur te ngulin çadrat pranë kryeministrise, o të japësh dorëheqjen, o të flijohen në grevë urie, puna e tyre’, kjo çështje do zgjidhet më 8 Maj”- tha Berisha.
Ai ka akuzuar kreun aktual të bashkisë, Edi Rama njëherësh lideri i PS-së, për korrupsionin e pashembullt me lejet e ndërtimit.
“Imagjinoni ju në qoftë se, afati kohor për dhënien e licensave dhe lejeve është shkurtuar mbi 5-6 herë pas krijimit të qendrës për lejet e licensat, afati kohor në Bashkinë e Tiranës është i treti më i gjatë në botë. Të dhënat e fundit janë 330 ditë. Sigurisht, këto nuk i referohen vitit 2009, por vitit 2008. Por Kryetari i Bashkisë që po ikën ka ndërtuar shtyllën më të lartë të korrupsionit në Europë dhe më të lartat në botë”- tha Berisha, duke shtuar se ato duhet të futen në “one stop shop”, për lehtësim procedurash dhe rritje të transparencës.











