TIRANË- Amnisti fiskale për gjithë bizneset në vend, përjashtuar ato që kanë lidhje me pushtetarë ose ish pushtetarë dhe pastruesit e parave të pista. Këtë ka premtuar kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë, me 9 mars duke ftuar opozitën të votojë projektin e të bëjë amendimet e saj.
Nisma ligjore, sipas Berishës vjen në kuadër të platformës qeveritare shumë miqësore ndaj biznesit dhe do të marrë rrugë, me apo pa votat e opozitës në Kuvend. Berisha ka ngarkuar ministrin e Financave, të veprojë me urgjencë në hartimin e projektligjit, në dy variante( duke marrë parasysh edhe refuzimin e opozitës).
“ Amnistia do 3/5 e votave, nëse nuk e mundësojmë këtë, atëherë do të veprojmë me faljen, për të gjitha detyrimet, gjobat, dhe detyrimet e prapambetura. Mendoj se falja duhet të jetë shans i ri për të gjitha bizneset, dhe totale për biznesin e vogël në vend”- tha Berisha, duke sqaruar se këtë nuk e bën aspak për politikë në kuadër të fushatës, por sikundër tha, pasi “80% e të punësuarve në këtë vend janë biznesin e vogël dhe ky është gjeneratori më i fuqishëm”.
Sipas kreut te qeverise, në rast se opozita voton amnistinë, atehere të bëhet amnistia më e plotë, perjashtuar dy kategorive, lidhjes me pushtetaret dhe pastrimit te parave. “Këto kategori nuk mund të amnistohen, pasi përdorimi i pushtetit për pasurim personal është shumë e dënueshme, përbën krim e kjo nuk do të falet. Do të jetë e nevojshme zoti ministër dhe unë e di që është punuar që ky ligj të vijë sa më shpejt në qeveri në dy variante: varianti amnisti që kërkon 3/5 dhe varianti falje që bëhet me ligj të thjeshtë. Në rastin e faljes, të jetë shkalla më maksimale që ne mund të operojmë në kuadrin ligjor dhe unë mendoj se tek biznesi i vogël falja mund të jetë e plotë e totale”- perfundoi Berisha.
© Panorama.al











