
BERAT – Një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu dje repartin e fabrikës së këpucëve në ish-Kombinatin Tekstil. Flakët përfshinë komplet repartin e prodhimit. Punonjëset ishin duke punuar në momentin kur u dëgjua një zhurmë e madhe, i cila më pas u shoqërua me flakë të mëdha e shtëllunga tymi. Ato vrapuan në drejtim të derës për të dalë jashtë repartit. Zjarrfikësit që u sinjalizuan për ngjarjen mbërritën në vendin e ngjarjes për të shtuar flakët. Drejtori i Repartit Zjarrfikës në prefekturën e Beratit, Shpëtim Gorica, u shpreh për gazetën se është shmangur një tragjedi. Nëse zjarri do të përparonte, së pari rrezikohej jeta e dhjetëra punëtorëve që ndodheshin brenda, si dhe djegia e të gjithë lëndës së parë dhe këpucëve të përfunduara. Mësohet se në magazinë ndodheshin edhe lëndë kimike, bojë, dylient, lëkurë dhe nënprodukte të tjera. Drejtori u shpreh se pranë këtij reparti ndodhej edhe një kompleks reparti me destinacion tjetër, i mili u rrezikua të përfshihej gjithashtu nga flakët. Zjarrfikësit kanë luftuar me zjarrin e përhapur për disa orë derisa arritën ta shuanin atë. Burime në vendngjarje bënë të ditur se është shkaktuar një dëm i konsiderushëm pasi është djegur plotësisht makineria kryesore e prodhimit të këpucëve.
Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe një grup hetimor për të zbardhur shkakun e rënies së zjarrit. Paraprakisht dyshohet se shkak mund të jetë ndonjë shkëndijë elektrike, por policia ende nuk e ka thënë fjalën e saj të fundit. Sipas specialistëve, në fillim kishte marrë zjarr kablloja e makinerive që ishin në punë, çka më pas përhapi flakët. d.xh











