Karim Benzema është kër-cënuar nga një fans nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, se do t’i publikonte një foto, ku sipas këtij të fundit, sulmuesi ishte në momente intime me një vajzë. Lajmi është publikuar nga mediat franceze, të cilat i referoheshin një interviste të dhënë nga Benzema, pikërisht ditën e djeshme nga hotel “Sheraton” në Tiranë. I intervistuar nga gazetari, Benzema ka sqaruar se nuk ka qenë aspak i qetë gjatë javëve të fundit, pikërisht për shkak të shantazhit që i ishte bërë nga një fans në Francë. Ky i fundit i kërkonte 900 mijë euro që të mos e publikonte foton në “Facebook” ose, në të kundërt, do t’ia shiste shtypit vendës. Atëherë, Benzema kishte pranuar që të paguante, duke i lënë një takim nëpërmjet telefonit në hollin e një hoteli, por më parë lajmëroi edhe policinë. Në momentin e takimit, kur në tavolinën e sulmuesit u paraqitën dy persona, policët e veshur si kopshtarë ose punonjës të hotelit ndërhynë menjëherë duke u vënë prangat. Gjithsesi, më pas rezultoi se gjithçka ishte e rreme dhe personat në fjalë thjesht kishin shantazhuar për të përfituar ekonomikisht. Ndërkaq, Kombëtarja franceze ka qëndruar deri sot në mëngjes në Tiranë, ku zhvilloi edhe dy seanca stërvitore, po në fushën e “Qemal Stafës” dhe paradite është larguar në drejtim të Bukureshtit, ku nesër do të zhvillojë ndeshjen vendimtare për kualifikimin në Euro 2012 ndaj djemve të Viktor Piturkës.











