BE: Pakt kombëtar për integrimin

Sep 13, 2011 | 10:42
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini dhe ai i Greqisë, Stavros Lambrinidis dje në konferencë

Bashkimi Europian i bën thirrje Shqipërisë për një pakt kombëtar për integrimin. Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini dhe ai i Greqisë, Stavros Lambrinidis, ishin dje në Tiranë ku zhvilluan takime me krerët më të lartë të vendit dhe në fund iu përgjigjën interesimit të mediave në një konferencë për shtyp.Sipas kryediplomatit italian, klasa politike duhet t’i japë një zgjidhje implementimit të 52 rekomandimeve që ka dhënë OSBE-ja dhe Këshilli i Europës sa i përket reformës zgjedhore, zgjedhjes së krerëve të institucioneve të pavarura dhe rifillimit të takimeve në Komisionin Parlamentar të Integrimit. Sipas tij, për të gjitha këto duhet një pakt kombëtar, njësoj si tre vjet më parë, kur Shqipëria u anëtarësua në NATO. “Mbeten ende shumë gjëra, si për shembull 52 rekomandimet e dhëna nga OSBE-ja dhe Këshilli i Europës. A është e mundur që këto 52 rekomandime të zbatohen? Unë them se po. A është e mundur që të rifillojnë takimet e Komisionit Parlamentar për çështjet e integrimit? Unë mendoj se po. A është e mundur që të dyja palët, si qeveria, edhe opozita, të jenë në gjendje të bien dakord përsa u përket nominimeve të nivelit të lartë, si për shembull Avokati i Popullit? Unë mendoj se po. Këto ishin vetëm disa shembuj, por ajo për të cilën Shqipëria ka nevojë, është një pakt kombëtar për Europën, siç e arriti për integrimin në NATO”, u shpreh Frattini.
Në të njëjtën linjë ishte diplomati nga Athina, i cili theksoi se fokusi i politikanëve shqiptarë duhet të jetë plotësimi i 12 rekomandimeve të vendosura një vit më parë nga KE-ja, reforma zgjedhore, reforma në fushën e të drejtave të njeriut, lufta ndaj krimit të organizuar dhe funksionimi normal i Parlamentit. I pyetur se sa shanse ka Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në muajin tetor, kur të dalë raporti i Komisionit Europian, Lambrinidis theksoi se “garanci nuk ka për asnjë vend. Ka garanci për një gjë, dhe këto janë kriteret, të cilat janë të njëjta për çdo shtet; nuk janë më të vështira për një vend apo një tjetër. Ato mbeten ato që janë dhe janë kriteret e Kopenhagës. KE do ta ndjekë nga afër aplikimin e 12 kritereve dhe do të na raportojë ne, Këshillit të Ministrave. Ka pasur një vonesë prej disa muajsh sa i përket kësaj çështjeje. Ka ardhur koha për të lëvizur përpara, nuk mund të zgjidhen disa kritere dhe të lihen të tjerat”. Ndërsa Frattini, lidhur me këtë pyetje, theksoi se “çdo gjë do të varet nga veprat që do të tregohen nga ato veprime konkrete. Unë kam përmendur deri tani tri gjëra: zgjedhjen e Avokatit të Popullit, rifillimin e funksionimit të Parlamentit, takimet e Komisionit Parlamentar për çështjet e integrimit europian. Në qoftë se këto gjëra do të bëhen në kohë, do të reflektohen në raportin që do të nxjerrë Komisioni, ose në takimet që do të ketë në Këshillin Europian në dhjetor. Ne takuam zotin Rama, i cili tha se ne do të bashkëpunojmë përsa i përket funksionimit normal të Parlamentit. Ne do ta shikojmë dhe shpresojmë”.

Frattini: Lamë pas një vit të humbur
Sipas ministrit të Jashtëm të Italisë, “fatkeqësisht kemi lënë pas një vit të humbur dhe tani duhet të përfitojmë nga koha që kemi humbur. Interesi kombëtar i Shqipërisë duhet të bëhet objektivi kryesor për Shqipërinë. Për këtë, ato që do të jenë gjërat më të rëndësishme do të jetë funksionimi i duhur i Parlamentit dhe ekuilibri i duhur ndërmjet forcave politike dhe nominimet e larta. Siç e keni dëgjuar, ne kemi folur për angazhime në politikë, por pa u reflektuar kjo në veprimet e duhura, jo vetëm me fjalë, nuk do të ketë asgjë pozitive në raportin e ardhshëm të Komisionit Europian”.

Lambrinidis: Vizita jonë, në moment kritik
“Vizita jonë këtu vjen në një moment kritik përsa i përket rrugës së Shqipërisë në BE. Një gjë është tepër e qartë nga takimet e shkëlqyera që kemi pasur në Shqipëri, Shqipëria e ka këtë objektiv të qartë, i cili i bashkon të dyja palët në Shqipëri. Ky është një objektiv i shumicës dërrmuese të popullit shqiptar. Ne jemi këtu të përfaqësojmë BE-në. Ne përfaqësojmë vendet tona, Italinë dhe Greqinë, dhe jemi, në fakt, edhe mbështetës të fortë të së ardhmes së saj europiane”, theksoi ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis.

Topi: I domosdoshëm komunikimi mes partive
Gjatë takimit me ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë, Presidenti Topi ritheksoi domosdoshmërinë e rivendosjes së komunikimit për çështje madhore mes klasës politike shqiptare, për të cilën shprehu besimin se “mbart përgjegjësinë dhe vetëdijen politike, po ashtu dhe maturinë për të kuptuar e realizuar që integrimi në Bashkimin Europian kërkon bashkimin e përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve dhe një përkushtim e angazhim tepër serioz për përmbushjen e kritereve dhe të detyrimeve që rrjedhin nga synimi i qartë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.” Sipas zyrës së shtypit të kreut të shtetit, “Presidenti i Republikës vlerësoi se pjesëmarrja e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, në hapjen e sesionit të ri parlamentar, ishte një tregues pozitiv e domethënës në këtë drejtim, ndërsa shprehu bindjen se me përpjekje serioze, dinjitoze dhe me ndihmën e partnerëve tanë evropianë, Shqipëria shumë shpejt do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE”.

“Gati të punoj me opozitën”
Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën për integrimin e vendit. “Kryeministri shprehu vullnetin e plotë të qeverisë dhe të maxhorancës së drejtuar prej tij për të bashkëpunuar me opozitën në përmbushjen me konsensus të të gjitha prioriteteve, si dhe për të votuar bashkërisht të gjitha ligjet apo vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Kryeministri theksoi se bashkëpunimi, dhe jo bllokimi, janë mënyra më e mirë për çuarjen përpara të interesave të vendit dhe integrimin e tij në BE. Ai mirëpriti kthimin e opozitës në Parlament, duke shprehur dëshirën që kjo të shënojë rikthimin e dialogut politik brenda këtij institucioni”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë për takimin me ministrat e Jashtëm.

Rama, 30 minuta me ministrat
Në përfundim të takimeve me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe Kryeministrin Sali Berisha, diplomatët e Italisë dhe Greqisë u takuan për rreth 30 minuta me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Lideri i opozitës shoqërohej në këtë takim nga deputetët Ermelinda Meksi, Arta Dade dhe Ditmir Bushati. Rikthimi i PS-së në Kuvend dhe bashkëpunimi me maxhorancën ishin temat kryesore të bisedës.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura