Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Ashton ka shtyrë vizitën e saj të planifikuar në Ballkan, ku pritej të ndalej mes të tjerash në Kosovë dhe në Shqipëri. Lajmin e ka bërë me dije vetë zëdhënësha e saj, Maja Kocijancic, e cila ka sqaruar se Ashton nuk do të vijë në mars sikundër ishte parashikuar. “Baronesha Ashton pa dyshim që do ta vizitojë rajonin, por për këtë ende nuk ka një datë të caktuar saktësisht se kur do të realizohet kjo vizitë, por me siguri jo në muajin mars”, tha Kocijancic.
Sipas gazetës kosovare “Zëri”, për të cilën ka folur edhe zëdhënësja e Ashton, Kocijancic kujtoi se logjikisht nuk do të kishte kuptim që “nëse rundi i dytë i dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet në fund të marsit, atëherë edhe Ashton nuk do të kishte arsye ta vizitonte Kosovën pikërisht në atë kohë”.
Ndryshimi i axhendës së kryediplomates evropiane jo pak ndikohet edhe nga temat që janë në fokus ndërkombëtar, ku së fundi vëmendja ka qenë e përqendruar në ngjarjet që po zhvillohen në Libi. Sipas zëdhënëses së Ashtonit, Maja Kocijancic, gjatë vizitës së kryediplomates evropiane në rajon, kurdo që të realizohet, përpos Prishtinës dhe Beogradit në axhendë mund të jenë edhe Tirana dhe Sarajeva, megjithëse kjo nuk është përfundimtare.











