TIRANE- Drejtoresha e Bankës Botërore ka bërë apel për qeverinë të përshpejtojë hapat për zgjidhjen e problemit të pronave në vend. Gjatë konferencës për shtyp, para medias, Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, Jane Armitage, duke vlerësuar kompleksitetin e problemit, jo vetën në vendin tonë por edhe në rajon ka apeluar për zgjidhje transparente e në përputhje me ligjin, deri sa toka të shkojë tek ish pronari.
“Zgjidhja e këtij problemi është themelor. Kjo është një cështje që prek gjithë vendet e rajonit, trashëgimi nga e shkuara komuniste, dhe pas kësaj ka dalë nevoja që pronat t’i kthehen ish pronarët. Kjo është një cështje komplekse, qeveritë në Shqipëri kanë bërë përpjekje për ta rregulluar këtë problem. Duhet që vendi të përshpejtojë hapat për të rregulluar këtë problem, shkaktuar edhe nga migrimi i brendshëm i popullsisë”- tha ajo, duke theksuar se BB do të vazhdojë të ndihmojë qeverinë.
Ajo ka kujtuar se BB ka një projekt që do ta zbatojë së bashku, me administrimin e tokës, pas identifikimit të problemeve e për të cilin shpreson që kjo të realizohet në të ardhmen.











