BB jep mbështetje për 5 projekte madhore të Tiranës

Sep 16, 2011 | 11:53
Nga takimi i djeshëm i Bashës me drejtoreshën e Bankës

Banka Botërore do të mbështesë projektet më të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës.Ndërtimi i linjës së tramvajit dhe ai i hipotekimit të apartamenteve do të jenë dy prej tyre. Dje, gjatë një takimi me përfaqësuesen e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenja Lvovski dhe grupin e ekspertëve, u ra dakord për bashkëpunimin. Bëhet fjalë për disa prej prioriteteve më të rëndësishme dhe problematikave më të  mprehta që ka kryeqyteti. Ekspertët e Bankës Botërore u shprehën të gatshëm të kontribuojë dhe të marrin pjesë në projekte strategjike të Bashkisë, si ndërtimi i bulevardit të ri të qytetit, deri tek Lumi i Tiranës. Basha i tha delegacionit se ky aks do të rrisë cilësinë e jetës dhe do të nxjerrë nga kushtet e papërshtatshme një pjesë të rëndësishme të qytetit. Ndërtimi i parkut të ri tek Lumi i Tiranës është një tjetër prioritet i Bashkisë, që u përfshi gjatë takimit në projektet, ku Banka Botërore do të japë kontributin e saj. Gjithashtu, përfaqësuesja e Bankës Botërorë siguroi zotin Basha se e sheh me interes ndërtimin e linjës së tramvajit në Tiranë dhe është gati ta mbështesë këtë projekt. Banka Botërore mbështeti projektin që ka Basha për hartimin e Planit Urbanistik për Tiranën dhe u shpreh e gatshme për ta ndihmuar dhe përkrahur këtë iniciativë. Në veçanti u përshëndet ideja e procesit transparent dhe respektimit të parimit të vlerësimit të drejtë të pronës private dhe përfitimit të hapësirave publike në shërbim të qytetarit. “Jam shumë i kënaqur që marrim sot mbështetjen maksimale nga Banka Botërore për investimet që do të vëmë në jetë. Janë projekte prioritare, për të cilat do të nisë puna shumë shpejt”, tha kryebashkiaku Basha. Ai e njohu delegacionin e BB me punën që po bën grupi i ngritur për Hipotekat dhe tha se procesi do të nisë së shpejti. Grupi i ekspertëve të Bankës Botërore mbështeti axhendën e kryebashkiakut Basha për punësimin e të rinjve, si dhe për krijimin e kushteve që ata të kryejnë stazhin pas diplomimit. Kryetari i Bashkisë i theksoi znj. Lvovski se ky është prioriteti numër një i Bashkisë dhe i tiji personal.

Projektet
• Ndërtimi i bulevardit të ri të qytetit
• Ndërtimi i linjës së tramvajit
• Hipotekimi i apartamenteve
• Ndërtimi i parkut të ri
• Plani Urbanistik për Tiranën

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura