TIRANE- Bashkia e Tiranës u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe të mos ndërtojnë pa leje. Gjatë inspektimit të punës në zonën ku rreth 1 muaj më parë nisi aksioni për prishjen e një ndërtese 5 katëshe, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha tha se “gjejmë rastin t’i bëjmë edhe një herë thirrje qytetarëve të Tiranës, që të mos ndërtojnë pa leje dhe të bashkëpunojnë me Policinë Bashkiake, sa herë që konstatohen raste të ndërtimeve pa leje”
Një muaj më parë, shtoi ai, këtu kjo hapësirë publike ishte zënë me një ndërtesë 5 katëshe pa leje, ndërsa sot, falë vullnetit të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake për të zbatuar ligjin, gjithçka është kthyer në gjendjen fillestare.
Hoxha theksoi vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mos lejuar informalitet dhe shkelje të ligjit, ndërsa tha se, zbatimi i ligjit është në të mirë të të gjithëve.
Sipas të dhënave të Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Tiranës, janë konstatuar rreth 300 ndërtime pa leje, për të cilat janë dorëzuar akt-kontrollet si dhe është bërë prishja e rreth 30 ndërtime apo shtesave pa leje.
© Panorama.al











