Bashkia e Tiranës mbetet pa buxhet edhe për këtë vit

Mar 30, 2011 | 10:05

Buxheti i Bashkisë së Tiranës ngelet pa u miratuar për të dytin vit radhazi. Nesër është afati i fundit, sipas ligjit, për kalimin e këtij buxheti nga Këshilli Bashkiak, por shanset për një mbledhje të mundshme janë minimale.Zyrtarisht Bashkia e Tiranës konfirmoi për gazetën se e ka gati projektbuxhetin që në datën 25 nëntor. “Mbledhja e fundit e Këshillit ka qenë ajo e korrikut të vitit të kaluar. Më tej nuk është thirrur qëllimisht që të evitohet prezantimi i buxhetit. Pavarësisht zërave që ka se Bashkia nuk do ta prezantojë buxhetin në mënyrë të detajuar, e vërteta është krejt tjetër. Ne nuk kemi ku të prezantojmë destinacionin e fondeve që do të investohen për Tiranën kur nuk kemi asnjë njoftim për mbledhje të Këshillit”, thanë zyrtarisht për gazetën përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës. Gazeta u përpoq të kontaktojë me kryetarin e këtij këshilli, Sokol Dervishaj, por prej tij ishte e pamundur të merrnim një përgjigje. Edhe nga përfaqësues të tjerë të maxhorancës, me të cilët u përpoqëm të kontaktonim, ishte e njëjta heshtje. Ky është viti i dytë që Bashkia e Tiranës operon pa buxhet. Por, ndërsa vitin e kaluar dështuan mbi 6 mbledhje të Këshillit Bashkiak për shkak të mos plotësimit të votave për ta kaluar, këtë vit nuk është bërë asnjë mbledhje. Arsyeja kryesore pse përfaqësuesit e maxhorancës refuzuan të jepnin votën pro asokohe ishte mungesa e detajimit të fondeve për investimet. Por, Bashkia e Tiranës dhe anëtarët e majtë i kundërshtuan këto argumente, të cilat, sipas tyre, ishin të pabazuara. Në prag të zgjedhjeve lokale duket se nga të dyja palët është anashkaluar miratimi i buxhetit për 2011-n. Në një situatë të tillë, Bashkia e Tiranës operon me 1/12 e buxhetit të miratuar më parë, para’ këto që mbulojnë kryesisht pagat e administratës. Sipas ligjit për pushtetin vendor, 31 marsi është dhe afati i fundit për miratimin e buxhetit të këtij viti, por gjasat janë që Këshilli Bashkiak nuk do të mblidhet. Dështimi i miratimit të buxhetit të Bashkisë pengon zhvillimin e qytetit për shkak të mos lëvrimit të fondeve, pasi asnjë projekt nuk mund të zbatohet pa u legjitimuar. Nga sa bën me dije Bashkia e Tiranës, vlera totale e projektbuxhetit të hartuar prej saj për këtë vit është 7.6 miliardë lekë. “Projektbuxheti është gati, janë të ndarë të gjithë zërat, por qëllimisht shtyhet mbledhja e Këshillit, ndonëse nuk është aspak normale që për 2 vite me radhë të mos kalojë buxheti i një institucioni. Gjithsesi, Bashkia po përpiqet që me fondet që ka të realizojë investimet më të rëndësishme të planifikuara”, shprehen burime nga ky institucion. Pak ditë më parë përfaqësues të maxhorancës në Këshillin Bashkiak janë shprehur se në fakt buxheti mbahet peng nga vetë kreu i Bashkisë së Tiranës. Sipas tyre, institucioni që ai drejton nuk u ka paraqitur projektbuxhetin. Kjo deklaratë mohohet tërësisht nga Bashkia. Vetëm pas zgjedhjeve ky ngërç pritet të marrë zgjidhje.

7,6 miliarde leke
është vlera e parashikuar në projektbuxhetin e 2011-s për Tiranën. Sipas prioriteteve që ka vendosur Bashkia, pjesa më e madhe e kësaj shume do të jenë investime në infrastrukturë dhe projekte të tjera

Investimet që parashikonte 2010

Për vitin e kaluar  ishin parashikuar për transportin publik dhe sinjalistikën 533 milionë lekë. Mjedisi dhe rikualifikimet urbane do të financoheshin në shumën 2.5 miliardë lekë, ndërsa infrastruktura rrugore me  1.6 miliardë lekëve. Vlera totale e buxhetit për 2010 është e njëjtë me vlerën e parashikuar edhe në projektbuxhetin e këtij viti.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura