TIRANË- Thellim i bashkëpunimit të gjithanshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që të projektohet së bashku e ardhmja e tyre dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Kjo ka qenë në qendër të takimit të sotëm të presidentit Bamir Topi me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.
Gjatë takimit, Topi vlerësoi “vullnetin e mirë, punën intensive dhe iniciativat e ndërmarra nga drejtuesit e Kosovës për një sistem të qëndrueshëm politik dhe ekonomik, ku klasa politike dhe udhëheqësit e saj kanë dëshmuar e po tregojnë maturi të vazhdueshme në zgjidhjen e problemeve të ndryshme, me të cilat janë përballur deri më tani.”
Duke prekur temën e bisedimeve Kosovë-Serbi, ku palët respektive rinisin sot dialogun për të diskutuar çështje të ndryshme teknike, shprehën dëshirën dhe inkurajimin për realizimin konkret të këtyre negociatave, në mënyrë që faktori shqiptar të vijojë të japë shembullin më pozitiv për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në të gjithë rajonin e Ballkanit.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi vlerësoi rolin moderator e konstruktiv të Kreut të Shtetit shqiptar jo vetëm në vend, por dhe për përpjekjet e vazhdueshme institucionale e diplomatike në drejtim të përfshirjes së Kosovës në forumet e tryezat e përbashkëta rajonale dhe njohjes së mëtejshme të saj në arenën ndërkombëtare.
© Panorama.al











