
Gjatë një interviste në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka në UTV, përballë edhe një paneli gazetarësh, lideri i opozitës tha se komunikimi i fundit mes tyre është ai përmes dy letrave të bëra publike. Basha tha më tej se negociatat e vetme që janë duke u zhvilluar janë për miratimin e deklaratës së përbashkët në përfundim të takimit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Parlamentit Europian. I pyetur se në çfarë kushtesh do të jepte PD-ja konsensusin për reformën territoriale, Basha tha: “Rikthimi i parimit të konsensusit është e vetmja çështje normale për të cilën ne kemi insistuar. Nuk është teka jonë, nuk është dëshira jonë. Kjo duhet të qartësohet. Këtu s’kemi të bëjmë me kokëfortësi, nuk po vendosim kushte për hir të kushteve. Reforma është e tillë që duhet të ketë një jetëgjatësi dhe një qëndrueshmëri përtej një maxhorance. Për këtë kërkon konsensus politik”.
Ka negociata për takim me Ramën?
Kemi shkëmbyer letra që u lexuan këtu dhe besoj se të dyja letrat janë të qarta. E dyta, ajo që unë kam dërguar pret një përgjigje, por nuk ka në këto momente asnjë negociatë mes palëve. Ka një negociatë deri tani të pasuksesshme për deklaratën e pamiratuar të Komitetit të Stabilizim-Asociimit në Strasburg, afati i së cilës për t’u miratuar u shty me një javë. Java kaloi, ndërkohë që drafti akoma pret miratimin e palëve.
A ka komunikim mes stafeve?
Jo, nuk ka. Nuk ka asnjë komunikim zyrtar mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, mes meje dhe zotit Rama për këtë çështje.
Nëse maxhoranca jep garanci për konsensusin në votim, jo në komision, ju do filloni punën bashkë me maxhorancën në komision?
Rikthimi i parimit të konsensusit është e vetmja çështje normale për të cilën ne kemi insistuar. Nuk është teka jonë, nuk është dëshira jonë. Kjo duhet të qartësohet. Këtu s’kemi të bëjmë me kokëfortësi, nuk po vendosim kushte për hir të kushteve. Reforma është e tillë që duhet të ketë një jetëgjatësi dhe një qëndrueshmëri përtej një maxhorance. Për këtë kërkon konsensus politik.
Nëse maxhoranca pranon konsensusin dhe nëse shkeljet e Kushtetutës dhe marrjes së kompetencave të Presidentit vazhdojnë këtu ku janë, nëse reforma është gati të votohet, do ta jepni votën në Parlament, apo do e kushtëzoni me kushtet?
Jam fare i qartë unë. Fola për zbatim të vendimit të gjykatave. Ka një gjykatë e cila ka marrë vendimet e saj, ka marrë vendimin për nëpunësin civil, për INUK, për rikthimin në detyrë të të larguarve. Reforma territoriale ka një dhe vetëm një kriter, kriterin e konsensusit.
Po kur të vijë momenti i votimit?
Po në qoftë se mbarojmë së diskutuari reformën territoriale, maxhoranca ka vendosur të anulojë institucionin e Presidentit, të shkrijë SHISH-in me Komisariatin e Shijakut dhe të reduktojë numrin e parlamentarëve në mënyrë të njëanshme me 25 anëtarë, duhet të shkojmë në Parlament dhe të votojmë reformën territoriale? Jemi në një situatë anormaliteti sa u përket kolonave të demokracisë. Në qoftë se kjo situatë persiston, a duhet të ulemi dhe të miratojmë me konsensus të plotë reformën territoriale administrative pasi ta kemi diskutuar atë në çdo hap? A duhet opozita në momentin kur mbaron produkti i reformës territoriale të mbyllë sytë para çdo shkeljeje ekzistues edhe të ardhshme të themeleve të demokracisë? Përgjigjen ma jepni ju. Çfarë kushtesh ka opozita? Ka kushtin që të funksionojnë gjërat normalisht, të respektohet Rregullorja e Kuvendit. Të mos dhunohet Kushtetuta dhe ligji, siç e interpreton Gjykata Kushtetuese.
Kishit ftesë për ditëlindjen e Metës?
Nuk kam pasur ftesë, por nuk ndryshon asgjë sepse unë kam pasur një ngjarje të programuar prej një muaji e gjysmë në Kosovë, në Deçan.
Do shkonit po të kishit ftesë?
Zoti Meta ka pasur ditëlindjen. Unë i uroj ditëlindjen, s’ka pse të mos ia uroj.
Ky është urimi që po i bëni apo e keni uruar?
Ky është urimi që po i bëj.
Të gjithë po e komentojnë si darkë politike. I shikoni me dyshim personat që Meta ftoi nga Grupi Parlamentar i PD-së?
As i kam parë fare dhe s’kisha si ta shikoja listën e të ftuarve në këtë festë. Ajo që më është komunikuar pas festës nga një numër personash aty dhe jashtë saj është se disa prej tyre i kanë përjetuar për nga përmasat dhe për nga ajo çfarë ndodhi si një provokim ndaj situatës aktuale ekonomike të shqiptarëve. Këtë informacion kam. Nuk i kam dedikuar as kohë, as vëmendje të mëtejshme këtij problemi.
Partia e Kreshnik Spahiut është në opozitë me Ramën. Ngjela ka filluar të kontestojë fort Ramën. Do filloni të mendoni të afroni individë konkretë?
Në kuadër të hapjes, por edhe të bashkimit e ribashkimit të resurseve opozitare brenda Partisë Demokratike që unë e shoh si shtëpia e madhe e lirisë dhe prej së cilës kanë dalë shumë prej personave që ju përmendët, dera është e hapur për këdo që e sheh veten në opozitë me këtë maxhorancë dhe që do të jetë bashkë me ne përballë kësaj maxhorance për ta frenuar, për ta korrigjuar, për të përmbushur misionin opozitar dhe për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë shprese dhe besimi.
Do pranoni ndihmën dhe bashkëpunimin e individëve me peshë politike, të cilët kohë më parë kanë qenë sulmues të ashpër kundër Sali Berishës?
Ua thashë kriteret mbi të cilat kam vendosur dhe kam hapur dyert e Partisë Demokratike për bashkëpunim. Në qoftë se Sali Berisha e ka bërë vetë këtë me ish kundërshtarët e tij, pse nuk duhet ta bëjë Lulzim Basha?
Ju bëri përshtypje fjalori në seancën e fundit parlamentare?
Sigurisht që më bën përshtypje, i bën përshtypje çdo shqiptari. Është skandaloze gjuha e përdorur nga Kryeministri. Nuk besoj se ka ndodhur ndonjëherë që Kryeministri t’ia lejojë vetes këtë gjuhë. Kjo është hera e parë që e kanë kapur kamerat. Ky e ka nisur që në seancën e parë apo të dytë të Parlamentit kur dilnin deputetet tona në foltore dhe me një sjellje jashtëzakonisht të pahijshme që ne e denoncuam atëherë… e kapi një nga deputetët tanë, Bedri Hoxha, duke bërë vizatime të deputeteve ndërkohë që ato flisnin. Është diçka që të çrregullon edhe kur e konstaton. Mendon se çfarë është ky? Pse e bën ky këtë? Pse e përdor këtë gjuhë? Ka frikë se s’ka numrat? Jo, i ka numrat.
Çfarë po ndodh me zgjedhjet brenda PD-së?
Jemi në përfundim të procesit të regjistrimit dhe riregjistrimit të anëtarësisë. Në dijeninë time deri të premten e kaluar tetë degë sollën regjistrimet dhe riregjistrimet. Procesi ka ecur shumë mirë, madje më mirë se sa parashikimet tona më të mira. Kemi degë ku kemi pasur një anëtarësi 2300 anëtarë bashkë me emigrantët, tani kemi 2200 anëtarë pa emigrantët, të cilët do t’i trajtojmë në një regjistër të veçantë. Kemi një fluks të madh anëtarësimesh, të cilat janë me kartelë individuale. Prandaj mori edhe pak kohë procesi. Kemi një vrull anëtarësimesh, i cili nuk është tipik për një parti që sapo ka dalë në opozitë dhe ka pësuar një disfatë të thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Është në pikëpamjen time shenjë e potencialit të madh të besimit te PD-ja.
Do t’i mbyllni zgjedhjet brenda qershorit?
Synimi im është që të mbyllet brenda majit.











