Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, shpallet zyrtarisht kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet lokale të 8 majit.Demokratët kanë pritur 22 marsin, ditën kur 19 vjet më parë erdhën në pushtet pas rrëzimit të regjimit komunist, për të konfirmuar kandidaturën e ish-koordinatorit të Komitetit të Orientimit të Politikave në garën për bashkinë e kryeqytetit. Në një takim festiv të organizuar nga Forumi Rinor i PD-së në Pallatin e Kongreseve, qindra të rinj kanë kujtuar ditën kur opozita e djathtë mori drejtimin e vendit përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme në vitin 1992. Ashtu si në të gjitha aktivitetet e fundit të demokratëve, edhe këtë radhë, drejtuese e këtij koncerti ishte anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, këngëtarja Çiljeta Xhilaga, e cila teksa ftoi Bashën t’i drejtohej të rinjve, e prezantoi atë si kandidatin e PD-së për Tiranën. “Kam dëshirë t’ia jap fjalën kandidatit për kryetar bashkie, zotit Lulzim Basha”, tha Çiljeta, ndërkohë që në sfond filluan tingujt e këngës “Thunderstruck” të grupit të njohur të rokut “AC/DC”. Pas kësaj ftese të këngëtares së PD-së, kryeministri Berisha në fjalën e tij nuk shtoi shumë, por tha vetëm që “Çiljeta dhe Elvana i ranë pikës me kandidatin që shpallën”.
Basha
Fjalën e tij para të rinjve demokratë, ministri Basha e nisi pikërisht me 22 marsin 1992, kur ai në moshën 17-vjeçare ka qenë vëzhgues pranë KQZ-së, vetëm pak metra larg vendit nga ku foli dje. “19 vjet më parë, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, këtu në këtë godinë, në moshën 17-vjeçare, unë pata fatin e madh të isha, ndoshta vëzhguesi më i ri që monitoroi procesin e zgjedhjeve të 22 marsit 1992. Përfundimi i këtij procesi nuk ishte vetëm një fitore politike, historike e Partisë Demoktratike, ajo ishte fitore e të gjithë shqiptarëve, fitore e lirisë mbi shtypjen, e dashurisë mbi urrejtjen, e të ardhmes mbi të shkuarën”, u shpreh kandidati demokrat për bashkinë e kryeqytetit. Sipas tij, vitet që pasuan ishin të mbushura me arritje dhe disfata në përpjekjet për një demokraci sa më të përsosur. Pas 19 vjetësh, theksoi më tej Basha, Shqipëria e shikon veten si vend anëtar të NATO-s dhe qytetarët e saj të lirë për të udhëtuar për në vendet e BE-së. “Të gjitha këto ndryshime, i gjithë ky pozitivitet, e gjithë kjo energji transformuese e ka zanafillën tek 22 marsi, prandaj, edhe pse pata privilegjin të jem ministër i Jashtëm, kur u anëtarësua Shqipëria në NATO, edhe pse me 50 nga qindra mijëra studentë shqiptarë hodhëm hapin e parë si qytetarë të lirë me 15 dhjetor 2010, asgjë nuk më ka lënë mbresa më të pashlyeshme, gjurmë më të thella tek unë, Lulzim Basha, sesa certifikimi i fitores së 22 marsit më 1992 si vëzhguesi 17-vjeçar”, u shpreh Basha.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij e cilësoi 22 marsin si ditën që ndan historinë e Shqipërisë. Sipas tij, “22 marsi do të mbetet në memorien kombëtare, pranvera më e bukur e të gjithë historisë sonë. Por 22 marsi, para së gjithash dhe mbi të gjitha, është fitorja e dinjitetit njerëzor të shqiptarëve”. Duke u ndalur në zgjedhjet lokale të 8 majit, Kreu i Qeverisë u shpreh se prioritet i programit të koalicionit të djathtë do të jenë të rinjtë. “Programi ynë jeni ju, programi ynë janë ëndrrat tuaja, programi ynë janë besimi juaj, programi ynë janë bindjet tuaja. Ndaj dhe ju ftoj të mbjellim këtë pranverë në rrugët e sheshet e Shqipërisë, në luginat, fshatrat, malet e qytetet e saj, lulet e shpresës, lulet e fitores, lulet e fitores së thellë”. Nga takimi me të rinjtë demokratë, kreu i maxhorancës premtoi një proces elektoral të lirë dhe të ndershëm në 8 maj, duke e quajtur atë edhe si festën e madhe të votës së lirë.
Mitingu i 1992
Pamjet nga mitingu i fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 marsit 1992 u transmetuan edhe në takimin që forumi rinor i PD-së organizoi me rastin e kësaj dite. Disa herë gjatë fjalës së kryeministrit Berisha, u shfaqën pamje kur, pikërisht, kreu i demokratëve fliste nga sheshi “Skënderbej” para qindra mijëra qytetarëve që kishin dalë për të festuar fitoren, duke e quajtur 23 marsin 1992, si “ditën e parë të demokracisë”. Kjo shprehje e kryeministrit Berisha një ditë pas zgjedhjeve kur PD-ja mori pushtetin, ishte edhe moto e takimit të djeshëm festiv të të rinjve demokratë, “22 mars, dita e parë e demokracisë”. Në këto pamje, në krah të Berishës, 19 vjet më parë, ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë kohë William E. Ryerson.
Festimet e 22 marsit
Në takimin e të rinjve demokratë nuk kanë munguar as këngët e këngëtarëve më të njohur në vend. Në fillim të aktivitetit ka qenë Juliana Pasha, e cila ka kënduar në skenën e Pallatit të Kongreseve dhe pas saj Jonida Maliqi dhe Elvana Gjata. Ndërkohë, kryeministri Berisha dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, shoqëroheshin në këtë takim nga bashkëshortet, ndërkohë që në të njëjtin rresht ishin edhe Gert Bogdani,
ministri i Arsimit, Tafaj dhe
Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja.
Takim me të lindurit në ’92
Me rastin e 22 marsit, kryeministri Berisha ka pritur dje 24 të rinj, që kanë lindur pikërisht në ditën kur Partia Demokratike mori pushtetin 19 vjet më parë. “Secili prej jush lindi në një ditë fatlume dhe ju jeni fatlumë. Jeni të tillë, sepse lindët në ditën e lirisë së madhe, të lirisë së vërtetë dhe u rritet të lirë. Sigurisht, keni pasur vështirësi, por jeni fatlumë sepse nuk keni humbur asnjë ditë në diktaturë. Kjo është një ditë shumë e veçantë dhe në radhë të parë është një ditë nderimi për të rinjtë. Po t’i rikthehemi asaj dite, ajo ka qenë një ditë gëzimi e papërshkruar, por para saj prindërit tuaj, vëllezërit dhe motrat tuaja më të mëdhenj, kanë jetuar një realitet tërësisht tjetër nga ky që
jetojmë sot”, u shpreh Berisha
gjatë këtij takimi.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











