Basha: Kamerat e rrugores nuk do të njohin Vip-a e të “fortë”

Mar 5, 2011 | 11:45

TIRANE – Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, inauguroi dje sallën e re të kontrollit të trafikut rrugor, ku filloi funksionimi i sistemit online që kontrollon lëvizjen e automjeteve në terren. Sistemi i kamerave dhe radarëve të Policisë Rrugore do të monitorojë edhe gjobat e pashlyera, si dhe do të bëjë fiksimin e pamjeve të aksidenteve, etj. Ky sistem ndërlidhet edhe me sistemet e tjera të të dhënave të Policisë së Shtetit, për të mundësuar verifikimin dhe identifikimin e makinave të vjedhura. Sipas ministrit të Brendshëm, është fakti se kjo mënyrë moderne e transmetimit të të dhënave online, nuk lejon asnjë hapësirë për abuzime. “Ky sistem nuk njeh vip-a, as të fortë. Qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe nuk ka asnjë mundësi që të ndërhyhet dhe të manipulohet sistemi pa u zbuluar dhe u ndëshkuar ata që do të guxonin të ndërmerrnin këtë”, deklaroi Basha gjatë ceremonisë së inaugurimit të sallës operative. Duke e vlerësuar funksionimin e këtij sistemi si një hap domethënës modernizues për kontrollin e trafikut rrugor, ministri Basha premtoi mbështetje të menjëhershme për dyfishimin e kapaciteteve të tij. “Brenda marsit, me fondet e alokuara nga Ministria e Brendshme, do të arrini të dyfishoni këto kapacitete, duke arritur ato parametra të barabarta me vende fqinje anëtare të BE”, u shpreh ministri i Brendshëm. Salla Operative e Kontrollit Rrugor zotëron tashmë një sistem modern online të kontrollit rrugor, lidhjen e drejtpërdrejtë me njësitë e Policisë së Qarkullimit në terren dhe përcjelljen online të të dhënave për automjet që kryejnë shkelje të rregullave të qarkullimit ose kanë detyrime të pashlyera. Gjithashtu, kryen fiksimin e pamjeve të aksidenteve nëpërmjet pajisjeve të sistemit “SCOUT”. Duke nënvizuar se Policia do të luajë gjithmonë e më mirë rolin e saj për problemin e trafikut  dhe të sigurisë rrugore, ministri Basha kritikoi pushtetin vendor për papërgjegjshmërinë, neglizhencën, deri edhe mospërfilljen e interesave të qytetarëve siç ka ndodhur në Tiranë. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deklaroi dje gjatë ceremonisë së inaugurimit vendosmërinë dhe përkushtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për të lehtësuar dhe zgjidhur problemet e qytetarëve me trafikun rrugor dhe rritjen e mëtejshme të sigurisë rrugore.

© Panorama.al

Te lidhura