Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premtoi dje uljen e taksave dhe rritjen e investimeve gjatë takimit me banorët e njësisë bashkiake nr. 4., rreth 60 mijë banorë të kësaj njësie vendore, vetëqeverisen. Kjo është ajo çfarë dëgjoi dje kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, gjatë takimeve që pati me banorët e disa prej lagjeve të vjetra të Tiranës. Banorët i thanë Lulzim Bashës se i paguajnë rregullisht taksat, mirëpo nuk marrin asnjë shërbim prej saj. Mungon infrastruktura më bazike për të jetuar. “Këto rrugë, i kemi shtruar vetë me çakull, kanalizimet i kemi bërë vetë, të gjitha i kemi bërë vetë”, i thanë Bashës banorët, të irrituar nga harresa e Bashkisë. Nga ana tjetër, shumica e qytetarëve të kësaj zone pohuan se i paguajnë taksat, paçka se i gjykojnë si shumë të larta. Banorët i thanë kandidatit të PD-së se fëmijët e tyre bëjnë rreth gjysmë ore rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë, ndërkohë që ka rreth 18 vjet që nuk bëhen investime. Disa prej tyre hedhin edhe dyshime për abuzime të Bashkisë me fondet. “Bëhet një tender, nis puna, por asnjëherë nuk mbaron”, shprehen banorët. “Unë ju premtoj se do t’i ul taksat, dhe ju do të keni rastin të shihni vetë se ku do të shkojnë taksat që paguani”, u tha Basha. Më tej, kandidati për kryebashkiak shprehu mesazhin e tij në të gjitha takimet që pati, duke u bërë të qartë banorëve se gjendja e mjerueshme e njësisë bashkiake numër 4, vjen si pasojë e teatrit të politikës që nuk kujtohet për qytetarët. Ndërsa kandidatja e parë në listën e PD-së për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku, iu përgjigj akuzave të opozitës lidhur me fushatën e Bashkës, duke thënë se “kjo politikë e dëshpëruar e përbaltjes, nuk krijon asnjë vend të ri pune, nuk ul taksat, nuk shton asnjë rrugë te re, nuk ul çmimet, nuk ndërton as edhe një shkollë të vetme, nuk zgjidh kolapsin e trafikut, nuk e bën qytetin më pak të ndotur. Lulzim Basha vepron ndryshe. Ai është çdo ditë në mes të qytetarëve të Tiranës, duke dëgjuar, parë dhe prekur nga afër problemet e tyre të përditshme”.
Nikolla: Luli zbaton urdhrat e saliut
PS akuzoi dje Bashën si përgjegjës për vjedhjen e fondeve të rrugës Durrës-Kukës dhe vrasjen e 4 qytetarëve në 21 janar. “Si ministër i Brendshëm, Luli do të mbahet mend si ekzekutori që pushkatoi 4 shqiptarë të pafajshëm dhe përgjaku Tiranën. Luli është mini Saliu dhe ne s’do ta lejojmë të katandisë Tiranën njësoj si ka katandisur Saliu Shqipërinë e shqiptarët”, tha Lindita Nikolla, kandidate e PS-së për njësinë 1.











