Basha: Grup pune për xhaminë e re

Nov 7, 2011 | 12:19
Topi e Basha dje gjatë urimeve në Komunitetin Mysliman

Besimtarët myslimanë festuan dje në gjithë vendin festën e Kurban Bajramit. Lutjet për më shumë begati, mirëkuptim e bashkim u bënë në orët e para të mëngjesit, për të vazhduar gjatë ditës me urimet e Kurbanit. Vlerë dhe urtësi tjetër e Kurban Bajramit është nxitja për dhurim dhe ndihmë ndaj atyre që janë në varfëri e në gjendje të rëndë ekonomike, si dhe forcimi i raporteve miqësore e familjare mes besimtarëve. Festa e Kurban Bajramit ka si qëllim të saj frymëzimin e dashurisë, të triumfit të së mirës ndaj së keqes, vetëpastrimin e shpirtit dhe mbetet një simbol i sakrificës. Sipas përfaqësuesve të këtij besimi fetar, prerja e kurbaneve është një prej treguesve të afrimit tek e vërteta. Për hir të Zotit, edhe mishi u dhurohet të varfërve. Në thelb, kjo festë është përkujtim dhe ripërtëritje e aktit të profetit Ibrahim, të konsideruar “baba i profetëve”, i cili u tregua i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij, Ismail, nga një urdhër i Zotit përcjellë në ëndërr. As Ibrahimi e as djali i tij, sipas burimeve hyjnore, nuk e vunë në dyshim dhe në diskutim urdhrin e Zotit, duke pasur një nënshtrim të plotë, provë e besimit dhe e devotshmërisë së tyre. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë uroi për më shumë begati, dashuri dhe harmoni në familje mes njerëzve të çdo besimi. “Si një nga dy festat më të rëndësishme për besimin islam, dita simbol e Kurban Bajramit përkon këtë vit me 20-vjetorin e lirisë së besimit në Shqipëri, pas 23 viteve persekutim dhe privim nga regjimi komunist”, u shpreh Muça. Edhe besimtarët myslimanë në Kosovë festuan Kurban Bajramin me shumë lutje e mesazhe besimi, dashurie e tolerance.
XHAMIA E RE NË TIRANË
Besimtarët myslimanë i uroi dje edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Krahas urimit, shprehu vendosmërinë e tij për të nisur sa më parë punën për ndërtimin e xhamisë se re. Në këtë kuadër, zoti Basha tha se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të ngrihet komisioni, i cili do të merret me të gjitha modalitetet që i hapin rrugë ndërtimit të xhamisë së qytetit, xhami e munguar prej vitesh. “Besimtarëve myslimanë dua t’u uroj gëzuar edhe për shumë vjet. Ne veçanti besimtarëve të Tiranës, dua t’u jap lajmin se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak ne do të miratojmë komisionin për xhaminë e qytetit, ku do të përfshijmë përfaqësues të Komunitetit Mysliman, besimtarë të Tiranës, përfaqësues të të gjitha institucioneve, një grup gjithëpërfshirës. Të gjithë se bashku do të nisim punën e madhe dhe të mirë për t’i dhënë komunitetit të besimtarëve të Tiranës xhaminë e munguar prej kohësh. Edhe një herë, gëzuar për shumë vjet”, tha kryebashkiaku Basha për mediat, pas vizitës në Komunitetin Mysliman Shqiptar për të uruar festën e Kurban Bajramit.

BERISHA: VITIN QË VJEN MË SHUMË HARMONI
Dje rreth mesditës, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, me rastin e festës së Kurban Bajramit kreu një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman. Shefi i qeverisë u dërgoi besimtarëve myslimanë urimet më të përzemërta, ndërkohë që uroi që vitin tjetër festa t’i gjejë shqiptarët më të lirë dhe të begatë. “Uroj që sakrifica e çdo shqiptari këtë ditë të hyjnizimit dhe sakrificës, për fëmijët, familjen, shoqërinë dhe Zotin t’i bëhet dritë në rrugën e ndërtimit të së mirës, paqes, të shpresës, të harmonisë dhe të ardhmes”, tha Berisha. Ai shmangu deklaratat politike në këtë rast, duke theksuar se sot komentet e tij shkojnë për Zotin. “Sot është dita e hyjnizimit të sakrificës, nuk është dita e politikës, ndaj komentet, lutjet, mendimet e mia shkojnë për Zotin dhe të gjithë ata që sakrifikojnë për një jetë më të mirë”, u shpreh Kryeministri.

TOPALLI: TA SHOHIM TË ARDHMEN ME OPTIMIZËM
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, uroi dje të gjithë besimtarët myslimanë në festën e Kurban Bajramit. Fillimisht, zonja Jozefina Topalli bëri një vizitë në Komunitetin Mysliman, ku u prit nga kryetari i Komunitetit, Haxhi Selim Muça. Duke e cilësuar këtë ditë një moment që të bën të reflektosh mbi sakrificën e të shohësh me optimizëm nga e ardhmja, Kryetarja e Kuvendit tha se më këtë vizion duhet të ecë çdo shqiptar. “Qëndrimi për sakrificën, i pranuar nga Zoti, bën që çdo shqiptar, çdo besimtar, ta shohë me optimizëm të ardhmen. Qoftë kjo ditë e gëzuar dhe Bajrami i ardhshëm të jetë edhe më i mirë sesa sot. Gëzuar të gjithëve”, tha Topalli. Urimet e saj Kryetarja e Kuvendit i përcolli edhe gjatë vizitës në Kryegjyshatën Botërore, ku u prit nga Baba Edmond Ibrahimi.

RAMA: T’U JAPIM FUND DASIVE PA ARSYE
Kryetari i opozitës uroi dje nga qyteti i Kavajës gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. “Gëzuar edhe të mos harrojmë asnjëherë që vlera më e madhe që ne trashëgojmë, është bashkëjetesa mes feve. Është një vlerë shumë e madhe që brezat duhet ta trashëgojnë, të rinjtë duhet ta mësojnë se si ka ardhur historia e fesë në Shqipëri. Ka qenë histori e vështirë, ka pasur një periudhë ku realisht të gjithë njerëzit e fesë kanë parë ferrin me sy dhe ka pasur një ringjallje që ka qenë një mrekulli për të gjitha fetë”, tha Rama. Ai shtoi se në Shqipëri, nëse ka një problem të madh, është dasia. “Nasia pa arsye. Dasia për arsye që nuk janë arsye njerëzore. Ne duhet t’i japim fund dasisë, të mendojmë si një shoqëri ku jemi më mirë secili kur është më mirë shoqëria”.

TOPI: DIALOG E TOLERANCË PËR TË GJITHA BESIMET
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me rastin e festës së Kurban Bajramit uroi gjithë besimtarët myslimanë, ndërkohë theksoi se mesazhi i tij është që të gjithë besimet të vijojnë në rrugën e harmonisë fetare. “Gëzuar për të gjithë popullin! Jemi për këtë ditë të bukur, se këtë ditë Zoti e ka bërë verë. E ka bërë për shqiptarët për të demonstruar atë që simbolizon kjo ditë, dita e sakrificës për paqen dhe sakrificën. Ky është mesazhi im për të gjitha besimet, të kenë harmoni e dialog dhe të ndërtojnë vetëm vepra të mira”, theksoi Topi. Ai tha se ky mesazh u përcillet të të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë në Shqipëri, në diasporë, Ai shprehu njëkohësisht shpresën e besimin që ditë të tilla kremtimi të sjellin më shumë mirësi, si dhe të kontribuojnë në mënyrë sa më të efektshme në forcimin e imazhit të fesë dhe të bashkëjetesës e tolerancës së feve në vendin tonë.

© Panorama.al

Te lidhura