Basha: Do ta shoh qytetin për qytetarin, jo për politikën

Mar 28, 2011 | 10:43

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, vijoi dje ditën e dytë të fushatës elektorale në zonën e Laprakës, pjesë e minibashkisë 11.Gjatë takimeve me banorët, Basha u njoh me problematikën e mprehtë të Laprakës, që ka të bëjë me mungesën e infrastrukturës, të asistencës sociale, të punësimit dhe të hapësirave për çlodhje dhe argëtim. Shumë prej banorëve u shprehën se nuk e kanë parë dhe nuk e kanë takuar asnjëherë kryetarin e Bashkisë. “Unë të kam dëgjuar në televizor kur the se do të kesh takime me popullin çdo të premte, unë do të vij të takoj në zyrë”, iu drejtua Bashës një i moshuar. Ndërsa një grup banorësh i kërkuan kandidatit për kryebashkiak që të rregullojë çështjen e rrugës, ujit të pijshëm dhe kanalizimeve. Gjithashtu, ata kërkuan më shumë siguri, pasi jetojnë pranë shinave të trenit. “Treni këtu ka marrë shumë jetë njerëzish”, i tha Bashës një banor. Gjatë vizitës që pati tek një bllok barakash të Laprakës, banorët që jetonin aty i kërkuan Lulzim Bashës më shumë vëmendje për hallet e tyre. “Askush nuk ka ardhur ndonjëherë të na shohë, ti je i pari” , u shpreh një grua, duke i treguar Bashës nevojën e saj për asistencë sociale. Nga ana e tij, kandidati demokrat për bashkinë më të madhe të vendit u shpreh se gjatë katër viteve të mandatit të tij do të ketë parësore problemet e qytetarëve, dhe jo politikën. Sipas tij, Tirana është sot në këtë gjendje, pasi me të është bërë politikë. “Zotohem para jush se do ta shoh qytetin për qytetarin, dhe jo për politikën. Në qoftë se është politika e para, ja se çfarë ndodh, ja si diskriminohen qytetarët në këto geto”, u shpreh Basha. Kjo ishte dita e dytë e fushatës së kandidatit Lulzim Basha  për Bashkinë e Tiranës, në vijim të dëgjimit të halleve dhe problemeve që kanë banorët e kryeqytetit. Në programin e tij për qytetin e Tiranës, ish-ministri i Brendshëm ka premtuar hapjen e rreth 30 mijë vendeve pune dhe ndërtimin e një tramvaje.

Taksat

Në nisje të fushatës elektorale, kandidati demokrat për Tiranën ka premtuar lehtësi të mëdha për biznesin. Gjatë takimeve në njësinë bashkiake nr. 8, dy ditë më parë si dhe në prezantimin në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, Basha tha se taksat do të ulen 2-5 herë. “Kjo lagje ka nevojë për zhvillim. Pasurinë shpirtërore të lagjes duhet ta ruajmë dhe t’i japim zgjidhje varfërisë”, tha Basha.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura