Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, dënoi dje presion që i bëhet KQZ-së nga Partia Socialiste dhe deputetët e saj. “Sot, pak më herët z. Rama pretendoi se numërimi i votave ka përfunduar, e ndërsa ai mund të urojë që kjo të jetë e vërtetë, jo çdo votë është numëruar dhe ende nuk është dëgjuar zëri i çdo qytetari që ka votuar. Sot, unë i kam kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – në cilësinë e tij si Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor për Tiranën – që të numëroje votat e vendosura aksidentalisht në kutitë për funksionet e tjera. Këto janë vota plotësisht të vlefshme të këtyre zgjedhjeve dhe askush nuk ka të drejtë t’ua mohoje vullnetin këtyre qytetarëve që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar”, u shpreh Basha. Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës u shpreh se pret i qetë certifikimin e rezultatit zgjedhor nga institucioni qendror i zgjedhjeve. “Ndërsa janë numëruar kutitë për kryebashkiak, ka kuti të tjera për funksione të tjera, të cilat duhet të numërohen ende për të pasur një numërim të plotë për këto zgjedhje. Ndërsa kjo po ndodh, unë pres i qetë dhe me durim rezultatin dhe certifikimin përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por, unë jam më i vendosur se kurrë, që çdo votë të numërohet dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Çdo rezultat që nuk lejon zërat e të gjithë qytetarëve të dëgjohen, nuk është një përshkrim i saktë i vullnetit të zgjedhësve në një demokraci”, u shpreh Basha.











