Basha 100 ditë në krye të Bashkisë: Mbajta premtimet

Nov 8, 2011 | 11:00
Kryetari i Bashkisë së Tiranës me stafin, dje në konferencë për 100 ditët e para të qeverisjes

Dje u mbushën plot 100 ditë nga momenti kur Lulzim Basha nisi punën në Bashkinë e Tiranës. Me anë të një konference për shtyp ai analizoi gjithçka është bërë në këtë hark kohor dhe deklaroi se do t’i shkojë deri në fund premtimeve të bëra ndaj qytetarëve. “Ne vijojmë mbajtjen e premtimeve. Qendër e veprimtarisë së Bashkisë është të dëgjojmë qytetarin dhe të punojmë për të, këtë po e dëshmojmë çdo ditë të punës sonë. Unë i kushtoj energji dhe kohë për të dëgjuar problemet e qytetarëve edhe për një qëllim tjetër, për të matur eficensën time si kryetar Bashkie dhe bashkëpunëtorëve të mi këtu”, tha Basha. Ai  më tej theksoi se disa nga premtimet kryesore janë realizuar, ndërsa të tjera janë në proces. Kryebashkiaku u ndal te hipotekat e pallateve, duke nënvizuar se procesi i pajisjes së qytetarëve me lejen e shfrytëzimit tashmë është çbllokuar“. Pasi konstatuam shqetësimin e qytetarëve, pas takimeve që kam kryer direkt me ta, problemi i hipotekave ishte një problem madhor në Tiranë. Faza e parë e këtij procesi mbaroi, e dyti kërkon 2-4 javë për të përfunduar, kurse faza e tretë, që është dhe më problematike, po shkon drejt zgjidhjes”, tha Basha. Sa i përket firmosjes së lejes së shfrytëzimit për 124 objekte në Tiranë, ai bëri me dije se shumë objekte e kishin marrë lejen e shfrytëzimit nga bashkia e mëparshme, por për shkak të burokracive, procesi kishte mbetur në mes. “Ka leje shfrytëzimi të vjetra që kanë mbetur peng i mosbashkëpunimit të Bashkisë me institucione të tjera, këto leje i kalojnë tashmë institucioneve përkatëse, falë marrëveshjeve të nënshkruara”, u shpreh kryebashkiaku. Sipas tij, premtimi i radhës i madh, i realizuar tashmë, ishte edhe heqja e barrës fiskale. “Gjatë këtyre 100 ditëve, reduktuam barrën fiskale, hoqëm rreth 60 taksa. Me çlirimin e biznesit nga taksa dhe tarifa të pajustifikuara ne do të arrijmë një zhvillim ekonomik të qytetit”, theksoi kryebashkiaku. Një tjetër çështje, e cila është mjaft e rëndësishme për qytetarët dhe që sipas Bashës është edhe në qëndër të Bashkisë, është edhe plani urbanistik i kryeqytetit. “Plani urbanistik i Tiranës ku mendojmë se është një nga problemet më të mëdha të qytetarëve, ka nisur, ndërsa janë bërë konsultimet në çdo hap të procesit. Hapat e para që janë bërë janë ato të ekzaminimit të plotë të punës dhe të dhënave, hartimi i planit i metodologjisë dhe veprimet e para që do t’i hapin rrugë hapave të tjera ambiciozë. Në maj të vitit që vjen, qytetarët do të kenë planin e plotë urbanistik”, ka shtuar Basha. Duke iu referuar strukturës së re të Bashkisë së Tiranës, Basha theksoi se një nga premtimet e bëra është edhe agjencia e mbrojtjes së konsumatorit, e cila do t`i mbrojë këta të fundit nga mallrat pacilësi, si dhe nga spekulimet me çmimet. Gjithashtu, kryebashkiaku Basha theksoi se një tjetër sukses është edhe platforma e decentralizimit, e cila do t`i japë më shumë kompetenca kryetarëve e minibashkive, duke ruajtur kopetencat e kontrollit. Në këtë mënyrë, sipas Bashës, qytetarët do të mund t`i zgjidhin problemet e tyre sa më afër shtëpisë dhe jo të përplasen në dyert e Bashkisë. Disa nga premtimet që Basha theksoi se janë drejt realizimit të tyrë janë, edhe hapja e konkursit për bulevardin e Tiranës dhe rehabilitimi i lumit, termat e referencës për tramvajin e Tiranës, ndërsa është përmbushur edhe adresimi i sigurisë në trafik për shkollat e kryeqytetit.

Unaza e Madhe
Nga sa u bë me dije, dje është miratuar në Këshillin Bashkiak dhe po nis projektimi i një segmenti të rëndësishëm të Unazës së Madhe, nga qendra “Kristal” te Teknologjikja, si dhe ndërtimi i Nyjes së Doganës me dy nivele. “Kemi dërguar për financim dhe do të bashkëpunojmë me MPTT për zgjerimin e Rrugës ekzistuese të Elbasanit dhe kthimin e saj në parametra më të mirë, për trafikun hyrës dhe dalës nga lindja e qytetit tonë”, tha Basha. Ai shtoi se po përgatiten, në bashkëpunim me bankat europiane, termat e referencës për të ndërtuar terminalin e ri të autobusëve, të trenit dhe tramit të qytetit të Tiranës.

Premtimet
Hipotekat

Kanë përfunduar dy faza. Brenda një periudhe tre katër javore, me përfundimin e lejeve të shfrytëzimit për të gjithë ato objekte, të cilat për shkak të burokracisë dhe zvarritjeve në  Bashkinë e Tiranës mbetën peng  në Bashki. Faza e tretë që është edhe më problematikja është në rrugën e drejtë të zgjidhjes në bazë të mirëkuptimit të vendosur me institucione të tjera përkatëse dhe me të cilat po hartojhenb masat e duhura ligjore. Ndonëse problemi po zgjidhet në tre faza, premtimi do të mbahet plotësisht, siç është mbajtur për 100 ditët e para.
Mbrojtja e konsumatorit
Struktura e re e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit do të ketë detyrë kryesore dhe të vetme, fokusimin në mbrojtjen e qytetarëve të Tiranës, në mbrojtjen e konsumatorëve në qytetin e Tiranës
Plani Urbanistik
Janë realizuar hapat më të rëndësishëm në drejtim të përfundimit të këtij plani, siç janë: Ekzaminimi i plotë i punës, të dhënave, dokumentacionit të trashëguar dhe hartimi i planit të metodologjisë në mbështetje të konsulencës ndërkombëtare, si dhe vendimet e para strategjike, të cilat do t’i hapin rrugë hapave të tjerë që pa dyshim do të përmbyllen brenda kohës së caktuar. Tirana do të këtë planin  urbanistik të plotë brenda majit të vitit që vjen.
Zhvillimi ekonomik dhe punësimi
U realizua premtimi për  heqjen e 60 tarifave dhe taksave dhe reduktimin e barrës fiskale në qytetin e Tiranës. Tirana do të implementojë kontaktin e thjeshtë, të lehtë dhe të pakushtueshëm me biznesin dhe me qytetarët, proces i cili do të nisë nga fillimi i vitit tjetër.
Nxitja e Investimeve
Janë hedhur hapat e parë për të planifikuar ndryshime në strukturën normative të Bashkisë së Tiranës, si dhe hapësira për investime të huaja dhe të vendit, që nga një park i ri teknologjik, që do të ofrojë mundësi punësimi për të rinjtë e sapodiplomuar, si dhe mundësi për transferimin e njohurive, eksperiencës, teknologjive nga jashtë, këtu në Tiranë.
Karta e Studentit
Karta Bashkiake e Studentit, për të cilën u nënshkrua javën e kaluar një marrëveshje me rektorët e 5 universiteteve publike të Tiranës dhe së shpejti do të hidhet i njëjtin hap me rektorët e universiteteve private. Ofrimi i shërbimeve falas dhe me tarifa të reduktuara nga institucionet bashkiake, shtetërore, kulturore, regjistrimi i bizneseve të shumta, për të ofruar edhe ato shërbimet e tyre në këtë drejtim, janë hapa inkurajues që do i japin jetës studentore në Tiranë, dhe çdo studenti në veçanti, lehtësira të mëdha në jetën e përditshme.
Decentralizimi
Janë hedhur hapa për platformën e decentralizimit, e cila do u japë më shumë kompetenca dhe mundësi kryetarëve të 11 njësive vendore, duke ruajtur në Bashkinë e Tiranës instrumentet e kontrollit.
Rruga drejt punësimit
Drejtoria e Punësimit që u krijua me strukturën e re në Bashkinë e Tiranës do të ketë si detyrë kryesore hartimin e një kuadri sa më eficient dhe konkret për punësimin e qytetarëve të Tiranës dhe me të do të kihet parasysh evidentimi i vendeve të punës këtu në Bashkinë e Tiranës, komunat dhe bashkitë përreth, evidentimi i krahut të lirë të punës dhe specifikat e këtij krahu.

Dalipi i PS: 100 ditët, dështim
Kreu i këshilltarëve të Partisë Socialiste Aldrin Dalipi, nëpërmjet një deklarate për mediat, i cilësoi të dështuara 100 ditët e qeverisjes së kryebashkiakut Basha. “Zoti Basha pranoi publikisht që gënjeu për lejet e shfrytëzimit të banesave për hipotekim, duke thënë që nuk i ka firmosur ai, pra i ka firmosur zoti Rama, por zoti Basha duhet të ketë kurajon tu thotë qytetarëve të Tiranës, përse ai dhe qeveria ku ka qënë ministër e bllokuan për shumë vite hipotekimin e banesave të qytetarëve të Tiranës, në zyrat e qeverisë, ashtu sic bllokoi buxhetin e Bashkisë së Tiranës”, tha Dalipi. Sipas tij, për 100 ditë të drejtimit nga Lulzim Basha ka pasur largime dhe përndjekje politike të qindra punonjësve, duke ndërruar profesionistë me militantë politikë. “Mashtrim publik me gjoja heqjen e taksave kur qytetarët e Tiranës paguajnë vetëm dy taksa, të cilat nuk u ulën; shpërdorim prej miliona eurosh me projektin e sheshit ‘Skëndërbej. Basha duhet të ketë kurajon t’u thotë qytetarëve të Tiranës, përse ai dhe qeveria ku ka qenë ministër, i bllokuan për shumë vite hipotekimin e banesave të qytetarëve të Tiranës në zyrat e qeverisë, ashtu siç bllokoi buxhetin e Bashkisë së Tiranës për dy vjet me radhë”, tha Dalipi.

Bulevardi i ri, lumi i Tiranës, tramvaji
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, bëri me dije se ka përfunduar të gjithë punën parapërgatitore për të hapur konkursin për bulevardin e ri të qytetit të Tiranës, nga Stacioni i Trenit deri te lumi i Tiranës. Po kështu, i njëjti hap është hedhur edhe për rehabilitimin e lumit të Tiranës nga Ura e Brarit tek Ura e Kamzës, për ndërtimin e arteries, që pastaj do ta lidhë këtë vepër të madhe të infrastrukturës sonë, më të madhen në 80 vitet e fundit, me rezervuarin e Paskuqanit, Aty do të ndërtohet një Park i Ri, një mushkëri e re e qytetit tonë”. Kemi përfunduar termat e referencës për tramvajin e Tiranës dhe përkatësisht për dy drejtimet kryesore, Kinostudio-Kombinat dhe drejtimin veri-jug, ku do të përfshihet edhe arteria që tashmë do të projektohet nga hekurudhë në rrugë, për tramin, nga stacioni aktual i trenit, te Sstacioni i ri në dalje të Tiranës, në zonën e Laprakës”, tha Basha. Ai shtoi se paralelisht me këto prioritete, do të  hartohet edhe buxheti për vitin 2012, ku çdo qytetar duhet ta gjejë veten e vet në një investim publik, qoftë ky shtrimi i një rruge apo rindërtimi i një kanalizimi apo ujësjellësi apo synimet e tjera sociale.

ZIRINA LLAMBRO

 

© Panorama.al

Te lidhura