Superliga e Shqipërisë: Barazon Tirana, feston Teuta

Nov 7, 2011 | 12:35

Emocione pafund, raste për shënim, shtylla, por mungon goli. As Tirana dhe as Skënderbeun nuk arrijnë të kalojnë Ilion Likën nga njëra anë dhe Orges Shehin nga ana tjetër. Sakaq, duhet thënë se Rubio e nisi ndeshjen me një skuadër të “arnuar” në mbrojtje, për shkak të mungesave. Ai surprizoi duke vendosur përkrah Dushkut në qendër të repartit defensiv Julian Ahmatajn, ndërsa Kalari luajti në krah të majtë. Kurse skema e startit të ndeshjes ishte 4-4-2, ajo ka ndryshuar në numër rekord gjatë 90 minutave. Nga ana tjetër, tekniku çek, Stanislav Levi, luajti me skemën e tij të zakonshme 4-2-3-1, por duke vënë sërish në krahun e djathtë të mesfushës Igli Allmuçën. Ndërkohë pas vetëm tri minutash, Gjergji Muzaka tronditi shtyllën e portës së Shehit, pas një goditje me kokë brenda zonës. Edhe pse bardhekuqtë po ushtronin shumë presion në minutat e para, Bekim Bala inkurajoi shokët e skuadrës, duke pasur një rast të mirë për shënim në minutën e nëntë, por gjuajtja e tij me të majtën ishte shumë e lehtë. Në pjesën e dytë, bardheblutë bën sërish një ndryshim në skemë, këtë herë duke provuar me 4-3-3, me shpresën se do arrinin të ishin më të rrezikshëm në repartin ofensiv. Në minutën e 55-të, erdhi edhe një rast i shkëlqyer për vendësit. Gilman Lika u pengua nga Arapi në hyrje të zonës dhe goditja e dënimit u ekzekutua mjeshtërisht nga Klodian Duro, por topi goditi tranversën e Shehit. Vetëm pesë minuta më pas, u kundërpërgjigj Daniel Xhafaj, i cili goditi saktë me kokë një krosim të ardhur nga e majta, por pa e dërguar topin në rrjetë. Në të 68′, Muzaka pati pothuajse rastin më të mirë të ndeshjes, kur përballë me Ilion Likën, gjuajti jashtë kuadratit. Vetëm 60 sekonda më pas, gjuajtja e Gilman Likës brenda zonës kundërshtare u pengua në momentin e fundit nga Ditmar Bici. Gjithsesi, një barazim që s’i vlen as Tiranës dhe ca më pak Skënderbeut. Ndërkohë që nga kjo gjë përfitoi Teuta. Para një numri shikuesish ende modestë, kundrejt ecurisë së mirë, durrsakët ishin të prirur të mos i lëshonin terren Dinamos, duke e mundur me më shumë eksperiencë sesa dëshirë e grintë. Gjithçka u siglua në pjesën e dytë, kur pak minuta nga vërshëllima e arbitrit, Veliaj lëshoi një predhë që përfundoi në rrejtën e Osmanit. Goli i çliron vendësit dhe ngarkon psikologjikisht dinamovitët. Pas 60 sekondave nga goli i Teutës, Dinamo rëndohet edhe me largimin nga fusha e lojës të Krajës, për ndërhyrje të rrezikshme ndaj Hyshmerit. Nga minuta e 50-të e deri në fund, miqtë luajtën me 10 futbollistë. Teuta përfitoi nga kjo dhe insistoi të vuloste fitoren edhe me një rrjetë të dytë dhe e realizoi me anë të mbrojtësit Jakupi. Ndërkohë, disa kilometra më larg, Kastrioti fitoi edhe pse në fushë nuk kishte tre lojtarë titullarë si: Alikaj, Caca dhe Inkango. Gjithsesi, trajneri Ndreu arriti të gjejë zëvendësuesit e këtyre të fundit, të cilët treguan se janë po aq cilësorë sa kundërtreshja e titullarëve. Ndërkohë që te Tomori u vërejt e njëjta fizionomi dhe problematikë: ajo e moskrijimit të një loje sulmuese dhe mungesës së qartësisë edhe kur pati raste për shënim. Sakaq, duhet thënë se Kastrioti e fitoi këtë ndeshje disi më lehtë nga çfarë mendohej, edhe pse në fund rrezikoi disi duke lënë hapësira në repartin difensiv. Plaku që në minutën e tretë, autogoli i Karamanit dhe shënjestra e Turdiut zhvlerësuan golin e nderit të shënuar për Tomorin nga Bakiu.

Rubio: Fati nuk do jetë gjithnjë me ne
I pakënaqur me rezultatin, mirëpo në fund e pranon atë, pasi nuk ka zgjidhje tjetër. “Jo çdo e diel do të jetë me fat për ne, po të ndodhte ashtu, atëherë do të ishim më të qetë. Barazuam, pasi aq merituam. U mundova të bëja disa ndryshime në sulm, por mesfusha e Skënderbeut nuk po na jepte shumë hapësira. Sakaq, edhe mungesat më detyruan që të bëja disa eksperimente në mbrojtje, që sot (dje) nuk ishin rezultative. Zëvendësimi i Duros ka ardhur gjithnjë për arsye të tjera, nuk ka vend për spekulime. S’jam i shqetësuar për kreun, kampionati është i gjatë, skuadrat  po tregojmë karakter, si Teuta, Flamurtari, Skënderbeu, por edhe Kamza, ndaj koha do të vendosë gjithçka”, tha Rubio.

Hysi: Dominuam lojën, meritonim të fitonim
Një infeksion në sy ka bërë që trajneri i Skënderbeut të mos fliste për mediat, ndonëse në fund u duk më shumë se i kënaqur me pikën. Sakaq, zëvendësi i tij, Lorenc Hysi, ka deklaruar se barazimi ishte shumë pak për këtë Skënderbe, që dje ka dominuar në fushë. “Skënderbeu meritonte më shumë se kaq, vetëm fitorja do të ishte ideale. Ndaj, ky barazim nuk ka asnjë vlerë. Megjithatë, ajo që na bindi ishte loja e ekipit, që tregoi karakter. Sulmi nuk shënoi, por po jep shenja të mira për të ardhmen. Ekipi funksionoi siç duhet, ndaj edhe nuk realizuam asnjë zëvendësim, pasi do të ishte e pavend”, kanë qenë këto fjalët e numri dy të pankinës së Skënderbeut pas ndeshjes.

 

30 fitore, Apolonia u prish rekordin kuqezinjve
Një gol i mesfushorit të Apolonisë, Ndoni, në pjesën e parë, ka mjaftuar që të ndalte marshimin e kuqezinjve në kampionat. Ndërkohë, vendimtar dje ka qenë edhe portieri Klodian Xhelili, i cili zgjidhi disa raste mjaft të vështira para portës së tij. Një javë pas atij entuziazmi të fitores ndaj Bylisit, Flamurtari është ndalur nga fierakët në fushën e vet. Kjo ka bërë që vlonjatëve t’u prishet rekordi i 30 ndeshjeve të fituara radhazi në fushë e vet në Superiore. Në pjesën e parë, vlonjatët do rrezikonin disa herë, por goli do vinte nga miqtë. Braziliani Da Silva gjuan fort nga jashtë, por topi del në korne. Nga kjo korne do dilte dhe rasti i golit, ku Ndoni, i gjendur në qendër të mbrojtjes vlonjate, shtyn me kokë topin në rrjetë. Pjesa e dytë nis me zëvendësim te Flamurtari: largohet Bërkiç, i cili qe totalisht në hije dhe në vend të tij hyn Shehaj, i cili do provonte menjëherë, por gjuajtja e tij do pritej nga Xhelili. Ndërsa minuta e 60-të shënoi një rast të diskutueshëm: një mbrojtës fierak preku me dorë topin në zonë, por gjyqtari Alla vijon lojën. Ka shumë reagime nga stoli dhe futbollistët e Flamurtarit, megjithatë goli nuk do vonojë: minuta e 64-t, dhe një goditje dënimi është kthyer në gol me mjeshtëri nga Franc Veliu. Barazimi do rriste shpresat te Flamurtari për fitore, por Apolonia mbrohet mjaft mirë dhe kërkon të godasë me kundërsulm. Momenti i fundit më i mirë i takon Begajt, i cili pasi futet në zonë gjuan, por topi kalon shumë pranë shtyllës së majtë.
Edmond Lutaj
Trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, e kritikon lojën e skuadrës së tij. “Flamurtari e humbi mundësinë për fitore që në pjesën e parë duke pësuar gol, por edhe duke mos zhvilluar një ndeshje të mirë. Gjatë 45 minutave të para nuk reagoi pothuajse fare edhe pas golit të pësuar. Në pjesën e dytë kemi ushtruar presion të vijueshëm ndaj kundërshtarit, kemi barazuar, por edhe kemi shpërdoruar shumë për të shënuar golin e fitores, kur mundësitë dhe rastet ishin”, tha Lutaj.
Dhimitër Papuçiu
Zv/trajner i Apolonisë, Dhimitër Papuçiu, ka qenë mjaft entuziast pas ndeshjes së djeshme, duke vlerësuar lojën e skuadrës së tij. “Kemi marrë një pikë shumë të rëndësishme në Vlorë. Kishim ardhur me pretendime për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe për të marrë rezultat dhe këtë e arritëm. Ekipi kishte treguar shenja të ngritjes që në ndeshjen e javës së parë, pavarësisht se humbën në fund. Në Vlorë kishim ardhur me synime të qarta, ndoshta jo për të fituar, por për të marrë rezultat pozitiv”, tha Papuçiu.

 

Superiore/ Java 8
Pogradeci-Laçi            3-1
Shënues: Çipi 47′, Eminhazeri 76′, Çela 86’/ Vucaj 90+2′ (p)
Kamza-Shkumbini            1-0
Shënues: Pema 17′ (p)
Vllaznia-Bylis                3-3
Shënues: Sukaj 33′ (p), 49′, Vajushi 90+3’/ Dimo 47′ (p), D.Popoviç 83′, 90+1′
Kastrioti-Tomori            3-1
Shënues: Plaku 3′, Karamani 23′ (autg)/  Turdiu 47’/ Bakiu 86′
Flamurtari-Apolonia            1-1
Shënues: Veliu 63’/ Ndoni 31′
Teuta-Dinamo                2-0
Shënues: Veliaj 50′, Jakupi 65′
Tirana-Skënderbeu            0-0

 

© Panorama.al

Te lidhura