Partia Demokratike ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të koncesionit për ndërtimin e HEC-eve në lumin Shpërdhaza, duke deklaruar mbështetje për banorët e Kaçinarit në Mirditë që prej më shumë se një dekade kundërshtojnë projektin.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, tha se projekti rrezikon burimet ujore, tokën dhe jetesën e zonës. Sipas saj, banorët kanë denoncuar firma të falsifikuara, konsultime publike fiktive dhe punime pa leje mjedisore, ndërsa institucionet kanë heshtur.
“Banorët kanë denoncuar vazhdimisht firma të falsifikuara, konsultime publike fiktive dhe punime pa leje mjedisore në të shkuarën. Ata insistojnë se nuk kanë dhënë asnjë miratim dhe e kanë bërë të qartë se toka dhe uji janë trashëgimi e brezave të tyre, jo plaçkë për interesa klienteliste.”, u shpreh ajo.
PD shprehu shqetësim edhe për kërkesën e Prokurorisë së Lezhës për pushimin e hetimeve, duke theksuar se afera po mbrohet politikisht. PD kërkoi hetim dhe transparencë të plotë për shkeljet që pretendohet se janë bërë, si edhe një vendimmarrje të drejtë dhe të paanshme nga gjykata, duke theksuar se banorëve të Kaçinarit po u mohohet drejtësia.
“Është e papranueshme që përballë kaq shumë denoncimeve, përgjigjja të jetë “nuk ka vepër penale”. Kjo minon besimin e qytetarëve te drejtësia. Partia Demokratike kërkon: Pezullimin e menjëhershëm të koncesionit; Hetim dhe transparencë të plotë për çdo falsifikim dhe shkelje ligjore; Një vendimmarrje të drejtë dhe të paanshme nga gjykata. Banorët e Kaçinarit nuk janë përballë vetëm një koncesioni të dyshimtë, por edhe një sistemi që po u mohon drejtësinë.”, shtoi ajo.
Deklarata e plotë:
Partia Demokratike qëndron vendosshmërisht në krah të banorëve të Kaçinarit, të cilët prej më shumë se dhjetë vitesh kundërshtojnë koncesionin për ndërtimin e HEC-eve në lumin Shpërdhaza, një projekt që rrezikon ujin, tokën dhe vetë mbijetesën e zonës.
Banorët kanë denoncuar vazhdimisht firma të falsifikuara, konsultime publike fiktive dhe punime pa leje mjedisore në të shkuarën.
Ata insistojnë se nuk kanë dhënë asnjë miratim dhe e kanë bërë të qartë se toka dhe uji janë trashëgimi e brezave të tyre, jo plaçkë për interesa klienteliste.
Pavarësisht protestave, kallëzimeve penale dhe peticioneve, institucionet vijojnë të heshtin.
Fakti që kallëzimet sorollaten nga një institucion te tjetri dhe që Prokuroria e Lezhës ka kërkuar për herë të dytë pushimin e hetimeve, thellon dyshimin se kemi të bëjmë me një aferë të mbrojtur politikisht.
Është e papranueshme që përballë kaq shumë denoncimeve, përgjigjja të jetë “nuk ka vepër penale”.
Kjo minon besimin e qytetarëve te drejtësia.
Partia Demokratike kërkon:
• Pezullimin e menjëhershëm të koncesionit;
• Hetim dhe transparencë të plotë për çdo falsifikim dhe shkelje ligjore;
• Një vendimmarrje të drejtë dhe të paanshme nga gjykata.
Banorët e Kaçinarit nuk janë përballë vetëm një koncesioni të dyshimtë, por edhe një sistemi që po u mohon drejtësinë.
Ne do të jemi në krah të çdo qytetari që mbron pronën, ujin, jetën dhe dinjitetin e tij përballë një pushteti që u shërben interesave private dhe jo interesit publik.














