Banka Botërore: Shqiptarët blejnë 2 herë më shumë ilaçe

Mar 28, 2011 | 10:36

Dyndemi me ilaçe më shumë se vendet e tjera të rajonit të BE-së. Mungesa e protokolleve të mirëfillta mjekësore, është veç të tjerash një nga shkaqet kryesore. Të dhënat e ISKSH-së dhe studimet e institucioneve ndërkombëtare si Banka Botërore, tregojnë se shqiptarët konsumojnë shumë medikamente, duke e parë së pari zgjidhjen te barnat. Në studimin e BB-së, thuhet se shqiptaret shpenzojnë për ilaçe 32% të shpenzimeve të përgjithshme për kujdesin shëndetësor në total, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian, se mesatarja e shpenzimeve për barna është 14% e totalit të fondit, për shëndetësinë në Amerikë 8%. Por, përkundër këtij fenomeni tashme të njohur në vendin tonë, ka edhe një tendencë tjetër që po vihet re, për sa i takon antibiotikëve si një grup i veçantë i medikamenteve në tërësi. Situata në vendin tonë mund të ndryshojë, të paktën kjo pritet me hartimin përfundimtar të protokolleve mjekësore. Sipas specialistëve të shëndetësisë, hartimi dhe zbatimi i protokolleve do t’i jepte një tjetër kah mënyrës si trajtohen pacientët. Aktualisht, plotësimi i kuadrit ligjor dhe hartimi i protokolleve mjekësore është drejt përfundimit. Hartimi i 105 udhërrëfyesve dhe 115 protokolleve klinike, të cilat do të publikohen së shpejti për të gjithë mjekët e vendit. Kështu, metoda të reja trajtimi të sëmundjeve të marra nga protokollet e mjekësisë amerikane dhe ato të Evropës Perëndimore do të instalohen në shëndetësinë shqiptare. Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, deri në fund të këtij viti, do të kenë në duar këto protokolle për të trajtuar kështu të gjithë pacientet.

© Panorama.al

Te lidhura