Të tjera komunikime janë bërë publike nga dosja hetimore e Belinda Ballukut. Nga aparati celular i ish kreut të ARRSH, Evis Berberi janë zbërthyer të gjitha mesazhet që fundosën Belinda Ballukun.
Më 10 shtator 2021, në orën 10:46, Balluku i shkruan Berberit: “Hajde tek unë në 11”, dhe Berberi i kthen përgjigje menjëherë: “Erdha”.
Balluku e udhëzon Berberin që të presë Ilir Shtufin e Nova, nga ana e tij Berberi konfirmon: “Ok.”
Në mbrëmje, komunikimi mes Ballukut dhe Berberit vijon mbi publikimet mediatike dhe rrjedhjen e informacionit, ku Balluku i kërkon Berberit të gjejë kush e ka nxjerrë listën fituese.
“Ke një Miranda tek prokurimet”, i shkruan Balluku. Berberi mohon rrjedhje informacioni: “Miranda ka qenë tërë kohës te prokurimet. Miranda s’ka dijeni për emrat.”
Balluku i kthehet: “Po mirë, gjeje kush.”
Sipas hetimit, vetëm katër ditë pas këtyre komunikimeve, më 14.09.2021, shoqëria “Nova Construction 2012”, në pronësi të Ilir Shtufit, lidh një kontratë bashkëpunimi me “Euroteorema Peqin” dhe “PE-VLA-KU”, për të marrë pjesë në tenderin e Lotit 4 të Unazës së Jashtme Tiranë.
Pjese nga dosja
Nga akti i ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënava teknike kompjuterike që përmban ky aparat celular kanë rezultuar komunikime ndërmjet shtetasve Belinda Balluku, Evis Berberi dhe Ilir Shtufi, si më poshtë:
Në datën 10.09.2021, në orën 10:46, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin “Hajde tek une ne 11”.
Në orën 10:46. Evis Berberi: “Erdha”.
Në orën 13:00-13:01. Belinda Balluku: “Cdo gje ok Lenci me pellumb Prite pak ilir shtufin e nova dhe beja te qarte qe shkon me eut Dhe mos ta shoh ne vend tjeter Punet I ke me gim thuaj jo me mua”.
Në orën 13:01, Evis Berberi: “Ok”. Menjëherë pas këtij komunikimi, po në datën 10.09.2021. shtetasi Evis Berberi komunikon me shtetasin Ilir Shtufi, ku në orën 13:54-13:55, shtetasi Ilir Shtufi i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhet “persh si te kam.. ilir shtufi nova jam. te tak pak mkan then kure mundesh”.
Në orën 14:07, Evis Berberi: “Hajde kalo”. Në orën 14:07. Ilir Shtufi: “ok 10 min”.
Menjëherë pas këtij komunikimi. po në datën 10.09.2021. shtetasi Evis Berberi komunikon me shtetasen Belinda Balluku, ku në orën 15:09, Evis Berberi: “E takova ok (me këtë mesazh shtetasi Evis Berberi i referohet mesazhit të mëparshëm të shtetases Belinda Balluku me tekst “Prite pak ilir shtufin e nova dhe beja te qarte qe shkon me eut”).
Në orën 21:44-21:45, Belinda Balluku: “Ke nje miranda tek prokurimet Pamfleti ka te gjithe listen e kompanive fituese tek U”.
Në orën 21:47. Evis Berberi: “Miranda ka qene tere kohes te prokurimet. Miranda ska dijeni per emrat”.
Në orën 21:49. Belinda Balluku: “Po mire, gjeje kush”.
Në orën 22:13-22:14. Evis Berberi: “Asnje se ka listen ska si ta kene. Pamfleti e ka nxjerre listen apo eshte info. Vetem po te kene qelluar ne shenje me hamendesim se dhe sot kishte ndryshime. Me duket e habitshme pasi vetem une e di. Per cdo lot kane marre kritere ne leter te shtypur pa emer”.
Në lidhje me bisedat e mësipërme, nga hetimi rezulton se shoqëria “Nova Construction 2012” sh.p.k (me pronar shtetasin Ilir Shtufi), në datën 14.09.2021 (4 ditë pas komunikimeve të mësipërme), ka lidhur kontratë bashkëpunimi me shoqëritë “Euroteorema Peqin” sh.p.k dhe “PE-VLA-KU” sh.p.k. për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit me nr. REF-02817-08-13-2021, me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, ku dhe janë shpallur fitues të kësaj procedure prokurimi.
© Panorama.al











