Ballsh, dhunojnë 58-vjeçaren për ta grabitur

Mar 14, 2011 | 11:53

BALLSH – Një 58-vjeçare është terrorizuar nga dy adoleshentë në orët e mesnatës së të shtunës. Ngjarja është shënuar në lagjen “Bylis”, kur dy autorët kanë shfrytëzuar errësirën dhe faktin që gruaja jetonte vetëm në banesë, për të hyrë dhe më pas për të ushtruar dhunë mbi të, në tentativë për ta grabitur. Ndonëse policia citon pak detaje për ngjarjen, burime nga Ballshi bëjnë me dije se 15 vjeçari K.R dhe 18-vjeçari G.M kanë hyrë në dhomën e gjumit dhe më pas kanë nisur të kontrollojnë për të marrë që aty ç’të gjenin. E zonja e shtëpisë ka arritur të ndiejë zhurmat dhe është zgjuar e alarmuar, duke bërtitur. Zhurmat e saj kanë trembur dy vjedhësit, të cilët kanë shkuar drejt të moshuarës A.H duke ushtruar mbi të dhunë që të mos bënte zë dhe duke i kërkuar t’u tregonte se ku i mbante lekët. Mësohet se kjo situatë ka zgjatur disa minuta, derisa fqinjë të gruas kanë shkuar në ndihmë të saj. Të rinjtë më pas janë trembur nga gjithçka që u zhvillua aty dhe janë larguar me shpejtësi, duke mos arritur t’i marrin sendet e bëra gati për t’i tërhequr jashtë. Pas kësaj është lajmëruar policia, e cila ka rrethuar zonën dhe në orët e mëngjesit ka arritur t’i vërë në pranga dy autorët. “Sektori kundër krimeve të rënda ka bërë të mundur vënien në pranga të dy minorenëve nga Ballshi. Në bashkëpunim me njëri–tjetrin, ata kanë hyrë në banesën e shtetases A.H dhe nëpërmjet ushtrimit të dhunës i kanë kërkuar kësaj të fundit para”, ka vijuar policia. Tashmë mbi dy të rinjtë rëndojnë akuzat e vjedhjes së mbetur në tentativë, ushtrimit të dhunës ndaj personit, si dhe dhunimit të banesës. Materialet do të kalojnë në Prokurorinë e Vlorës, në seksionin e të miturve. Ndërkohë, e moshuara është shoqëruar për në spital, ku ka marrë edhe ndihmën mjekësore. Mësohet se nuk ka rrezik për jetën, por ka pësuar dëmtime të rënda fizike, për shkak të goditjeve.                m.r

© Panorama.al

Te lidhura