Partia Socialiste e cilësoi konkursin për kompleksin e ri parlamentar një aferë korruptive me pjesëmarrjen e kryetares së Kuvendit. Deputeti socialist Taulant Balla, akuzoi dje kryetaren e Parlamentit si të përfshirë në këtë aferë. “Zonja Jozefina është përfshirë tanimë edhe në një tjetër skandal në lidhje me shpalljen e projektit fitues për kompleksin e ri parlamentar. Sepse, çuditërisht, kompania e zotit Wolfgang Prix na qenka shpallur fituese, ende përpara se zonja kryetare të organizonte konkursin me jurinë ndërkombëtare, ende pa u paraqitur projektet alternative për përzgjedhjen e një projekti përfundimtar”, thotë Balla. Akuzat e tij, deputeti socialist i bazon në artikullin e gazetës austriake “Wienner Zeitung”, pikërisht kjo gazetë e ka nxjerrë fituesin e këtij projekti, 12 ditë para se të shpallej zyrtarisht fituesi nga kryeparlamentarja Topalli, siç tha Balla.
Topalli: Taulant Balla gënjen
Menjëherë pas akuzave të Partisë Socialiste reagoi kryetarja e Kuvendit përmes një deklarate të shpërndarë për mediat. Ajo e ka konsideruar një gënjeshtër fund e krye, deklaratën e deputetit të PS-së, Taulant Balla, sipas të cilit konkursi ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar është një aferë e pastër korruptive. Sipas njoftimit zyrtar dhe shkrimit të përkthyer të gazetës austriake “Wienner Zeitung”, nuk thuhet asgjëkundi se kompania e arkitektit Ëolfgang Prix ka fituar konkursin. Në këtë gazetë përmendet fakti që kompania e Wolfgang Prix ka marrë pjesë në konkurs. “Taulant Gjura gënjen për gjithçka në lidhje me rikonstruksionin e sallës së seancave plenare, gënjen për apartamentin, gënjen për reklamat, gënjen për votimin në internet. Çdo hap i ndërmarrë për të celebruar 100-vjetorin e themelimit të Shtetit Shqiptar, me të parën godinë të parlamentit të ndërtuar ndonjëherë në këtë vend”, shprehet kryetarja e Kuvendit.











