Balla: Berisha bleu makinë 700 milionë

Mar 23, 2011 | 11:27

Partia Socialiste akuzon kryeministrin Sali Berisha se ka shpenzuar 700 milion lekë për të blerë një makinë të blinduar. Deputeti Taulant Balla, tha dje se ky fond u hoq nga buxheti për emergjencat civile dhe fatkeqësitë natyrore. “Më e turpshmja është se sot ky vendim është fshirë nga regjistri online i vendimeve të Këshillit të Ministrave. Pushteti i kusarisë e matrapazllëkut, cili vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, pushteti që drejtoi armët mbi popullin e tij, duke vrarë më 21 janar protestues të pafajshëm, për të vazhduar të vjedhë, është kthyer tashmë në një bunker. Sali Berisha u hoqi makinat policëve, prokurorëve, gjyqtarëve, institucioneve kushtetuese, gjoja për të kursyer nga shpenzimet e shtetit”, tha deputeti i PS-së në një konferencë për shtyp. Qeveria hodhi poshtë dje deklaratat e opozitës lidhur me blerjen e makinës së blinduar. Burime zyrtare pranë Këshillit të Ministrave thanë për gazetën, se makina do të jetë në dispozicion të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe do të përdoret sa herë që vendin e vizitojë delegacione të huaja. “Në disa raste ka ndodhur që krerët e shteteve apo qeverive të huaja kanë përdorur makinat e tyre apo atë të Kryeministrit gjatë vizitës në vendin tonë. Makina e blinduar do të përdoret pikërisht në këto raste”, bënë të ditur burime pranë Kryeministrit. Ndërkohë, edhe Partia Demokratike ka hedhur poshtë akuzat e PS-së. “Kryeministri nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë të blejë, as edhe për t’i dhuruar njeri ndonjë automjet. Ai nuk ka ndonjë mungesë dhe disponon çdo gjë që i duhet të përmbushë detyrën e tij si Kryeministër i vendit”, thuhet në deklaratën e PD-së.

© Panorama.al

Te lidhura