Balanca ose ekuilibri ekziston kudo: në natyrë, te njeriu, në shoqëri, në politikë, në marrëdhëniet midis njerëzve, në marrëdhëniet midis shteteve e popujve. Balanca ose ekuilibri është sinonim i jetës së çdo gjëje, i çdo fenomeni, i çdo ecurie.
Kur prishet balanca ose ekuilibri fillojnë problemet, fillojnë shqetësimet, fillojnë ekseset që të çojnë në të papritura nëse nuk ka përpjekje për rimarrjen e balancës ose të ekuilibrit.
Natyra ka një organizim të përsosur balance. Kjo balancë e saj e ka shoqëruar jetën e qenies njerëzore, apo të gjallë nëpër shekuj. Kur është prishur ajo kanë ndodhur katastrofa të mëdha natyrore, përmbytje, zhdukje të bimësisë e kafshëve të ndryshme, të popullsive të ndryshme, konfigurime të reja gjeografike e të rruzullit deri në ristabilizimin e vet. Tërmetet, vullkanet, rrezatimi diellor krijojnë prishjen e ekuilibrit e të balancës, duke krijuar shkatërrime, probleme për jetën e njerëzimit, florës e faunës, derisa të krijohet riekuilibri ose balanca e saj.
Organizmi i njeriut është një përsosmëri balance ose ekuilibri dhe kur prishet ajo, rrezikohet jeta e njeriut. Krijimi i prishjes së balancës ose ekuilibrit të jetës së njeriut është natyror, por dhe për shkak të mostrajtimit të vëmendshëm të organizmit të njeriut. Është natyror për shkak të trashëgimisë, siç përcaktohet nga gjeni i çdo njeriu, dhe i plakjes së natyrshme, pasi qelizat konsumohen, vdesin se nuk ripërtërihen dot. Në këtë rast njeriu plaket, rrudhoset, shëmtohet, thua se Zoti e përgatit të largohet në mënyrë normale nga kjo botë dhe familjarët e tij të përgatiten në mënyrë normale për largimin e të afërmit të tyre nga jeta tokësore. Kur fillon prishja e ekuilibrit të njeriut nga vetë ai, për shkak të ushqimit jobalancues, për shkak të abuzimeve të ndryshme, streseve e problematikës shoqërore, pasi njeriu është qenie shoqërore, atëherë fillojnë simptomat e sëmundjes. Kërkohet ndërhyrja e mjekut, përdorimi i ilaçeve, sendeve kurative e qetësuese, klima e nevojshme shoqërore e familjare, vëmendja e duhur për të mos lejuar zhvillimin e sëmundjes, që është prishje e balancës ose të ekuilibrit të organizmit. Riekulibri ose ribalancimi në këtë rast është domosdoshmëri për të vazhduar jeta e njeriut, nëse nuk ndodh prishje akute e balancës ose ekuilibrit, kur qarkullimi i gjakut ndalon, pasi zemra e truri nuk funksionojnë më.
Si natyra, si njeriu, edhe shoqëria njerëzore ka balancë ose ekuilibrin e vet. Njeriu që në epokat e lashta nuk ka jetuar dot vetëm për të përballuar jetën. I vetëm nuk realizonte dot të drejtën për të jetuar, por dhe detyrën për ta mbajtur konstante e të ekuilibruar jetën. Ka qenë i detyruar të organizohej në grupe, në familje, në fise, në organizime më të mëdha për të kontrolluar e sunduar territorin e jetën e për të përballuar rreziqet natyrore e ato që vinin nga kafshët e egra në fillim, pastaj nga grupe të tjera shoqërore në afërsi, apo që vinin nga territore më të largëta. Në këtë lloj organizimi për të realizuar të drejtën për të vijuar jetën e ekuilibruar dhe detyrën për të kontribuuar edhe vetë u detyrua të njohë një sistem rregullash dhe të pranojë më të fortin në grup, drejtuesin apo udhëheqësin, që nga lashtësia e deri ditët e sotme. Kur është vetëm njeriu është vetë maja e piramidës, kur është pjesëtar i një shoqërie ku jeton, pranon rregullat e organizimit, ku realizon të drejtën dhe detyrën dhe njeh dhe pranon drejtuesin, pra majën e piramidës.
Pra piramida ka një majë dhe poshtë saj vjen shtresa-shtresa organizimi shoqëror me detyra e të drejta të përcaktuara. Kur këto detyra e të drejta prishen, piramida rrezikon, drejtimi rrezikon, shoqëria përballet me probleme që shpesh e çojnë në shkatërrime të tesutit të balancës ose të ekuilibrit, me rreziqe. Shoqëria njerëzore është zhvilluar nëpër shekuj mbi bazën e një ekulibri ose balance organizuese. Historia e lashtë, e reja dhe e sotme na ka dëshmuar lloje të ndryshme organizimi, por kur është prishur ekuilibri ose balanca nga faktorë të brendshëm ose të jashtëm (këtu nuk mund të mënjanohen dhe shkaqe natyrore), shoqëria ka pësuar dëme shpesh të pariparueshme deri në asgjësim, për të arritur në një riekuilibrim ose balancim të ri. Historia njeh luftëra brenda familjeve mbretërore, luftëra brenda shoqërisë, luftëra për të pushtuar territore të tjera e popuj të tjerë, luftëra për t’u mbrojtur. Historia njeh vrasje të vëllait mbret për të marrë pushtetin, vrasje të mikut, vrasje të njerëzve të afërt, kur është rrezikuar organizimi i vendosur me forcë apo me dëshirë, me rregulla të pranuara apo me rregulla të imponuara. Shpesh këto dëmtime të shoqërisë kanë ndodhur edhe pasi njerëzit e afërt të drejtuesit, duke shfrytëzuar afërsinë me drejtuesin, kanë menduar se mund ta kryejnë edhe ata fare mirë rrolin e drejtuesit, në fillim duke e imituar në gjuhë, fjalor, sjellje, veshje e ligjërata të sajuara deri në përpjekje të pamenduar për ta zëvendësuar apo imponuar rregulla e ligje të sajuara me mendjen e tyre, në fillim për t’i pëlqyer liderit, pastaj për t’iu imponuar. Kjo ka bërë më vulnerable liderin të cedojë te këta njerëz që kanë menduar se mund ta luajnë rolin e liderit; për pasojë, ka rrezikuar prishjen e balancës ose ekuilibrit të vendosur e të pranuar. Shpesh shoqëritë njerëzore janë rrezikuar nga përpjekje të brendshme të prishjes së balancës ose të ekuilibrit në detyrë dhe të drejta të shoqërisë.
Shoqëria njerëzore njeh shumë sisteme organizuese politike-shtetërore. Në epokën e sotme kemi shumë lloj organizimesh shoqërore. Jemi dëshmitarë këto ditë çfarë po ndodh në disa vende të Lindjes së Mesme dhe ato arabe. Sundimi totalitar prej 30 vjetësh i Mubarakut në Egjipt, ai i Ben Ali në Tunizi, ai i Gedafit në Libi e në vende tjera arabe prishi në kohë balancën ose ekuilibrin, kërkoi të sundonte, të pasurohej, të ndërtonte korrupsion e vjedhje, duke lënë në varfëri të vazhdueshme popullin, pjesën më të madhe të shoqërisë njerëzore. Sistemi totalitar vërtet ka parti politike, por drejtimin e shoqërisë e ka mbreti e familja e tij, ose presidenti me fuqinë e një mbreti. Këta lejojnë edhe parti të vogla, lejojnë dhe sindikata, por kërkojnë të kontrollojnë e të imponojnë detyra më shumë se të drejta, të imponojnë trysni për t’u bindur, të imponojnë frikë deri në asgjësim të jetës dhe për vete, dhe rrethin e tyre të afërt realizojnë më shumë e më shumë të drejta, duke e lënë në varfëri e mjerim popullin e tyre dhe në organizim të pabalancuar ose të paekuilibruar shoqërinë njerëzore. Pra prishin ekuilibrin ose balancën e jetesës. Këtë prishje balance ose ekuilibri e rrezikojnë dhe shumë vende të tjera në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, pasi kanë prishur sistemin e organizimit të sistemit politiko-shtetëror të shoqërisë njerëzore, të të drejtave dhe të detyrave, kanë çrregulluar vlerat dhe të drejtat njerëzore për të jetuar e kontribuuar.
Imponimi i vazhdueshëm në ekonomi, politikë, kulturë, sjelljen e shoqërisë me rregulla detyruese e jo të lira balance ose si të natyrës e të jetës njerëzore, cenon çdo ditë sistemin e të drejtave dhe të detyrave të shoqërisë dhe të secilit person, cenon vlerat njerëzore për të jetuar, për të realizuar prosperitet e dinjitet njerëzor për të jetuar pa trysni, pa frikë. Dhe kushtetutat e këtyre vendeve nuk janë të balancuara, të drejtat anojnë nga sunduesi.
Në një sistem demokratik rregullat dhe standardet e një shoqërie demokratike minimizojnë imponimin, trysninë e përditshme, frikën për jetën dhe ato vazhdimisht rishihen që të ruhet balanca ose ekuilibri në të drejta dhe detyra, në pjesëmarrje për prosperitet dinjitoz njerëzor, kushtetuta në këto sisteme është e balancuar, ka mbrojtje të shtetit ligjor, të të drejtave të njeriut, të lirisë së fjalës, të shtypit, të informimit, të pjesëmarrjes. Rrolin kryesor në rishikimin e vazhdueshëm të balancës ose të ekuilibrit në këto shoqëri demokratike e kanë partitë politike që marrin përsipër të realizojnë drejtimin dhe zhvillimin ekonomik, social, kulturor, të shoqërisë dhe të shtetit të së drejtës. Këto parti politike marrin përsipër të përmirësojnë të drejtat e njeriut në mënyrë të vazhdueshme, por dhe detyrat që çdo njeri duhet të plotësojë ashtu si shoqëria. Partitë politike alternohen me njëra-tjetrën në këto lloje organizimi shoqëror, por pa cenuar as të drejtat dhe as detyrat e çdo njeriu, të shoqërisë dhe të vetë atyre. Pra ekuilibrin ose balancën e domosdoshme për zhvillimin e shoqërisë e marrin këto parti që bëhen drejtuese të pushtetit me zgjedhje të lira, të besueshme.
Suksesi i partive politike në një sistem demokratik të organizimit shoqëror varet nga observimi i vazhdueshëm i realizimit të balancës ose ekuilibrit të shoqërisë në realizimin e të drejtave dhe detyrave në të gjitha fushat e jetës, por dhe përmirësimin e tyre të vazhdueshëm e jo ngecje në vend, e jo mospërfillje për balancat e domosdoshme që sigurojnë dinjitetin, prosperitetin dhe të drejtat e njeriut. Këto elemente nuk mund të imponohen në mënyrë të devijuar nga partitë politike, pasi këto përbëjnë fillesën e situatave acaruese, trysni, plot frikë dhe cenimin e shtetit të së drejtës. Kur fillon imponimi i njëanshëm, fillon të prishet ekuilibri ose balanca e domosdoshme. E drejta nuk është pronë e një partie politike, por e shoqërisë. Kur fillon imponimi i së drejtës dhe detyrës në mënyrë të njëanshme, maja e piramidës fillon të ketë probleme dhe ndodh që disa nga rrethi i afërt me liderin të kërkojë të sillet, të flasë si lideri dhe të ketë ambicien që ta vërë në vështirësi liderin deri në rrëzimin e tij.
* * *
Çfarë ndodh sot në Shqipëri? Është prishur balanca ose ekuilibri. Kanë ardhur përfaqësues të BE-së dhe personalitete të larta të SHBA për të qetësuar dhe ndihmuar në kthimin e balancës e të ekuilibrit. Ata shohin se kjo është prishur dhe kërkohet të kurohet. Ata kërkojnë arritje kompromisesh në zgjidhjen e krizës politike, pra të riekuilibrojnë ecurinë e shoqërisë shqiptare drejt integrimit europian. Balanca dhe ekuilibri duhet të rivendoset, sipas tyre. Kur bëhet fjalë për balancë ose ekuilibrim, nuk flitet më vetëm kush e solli këtë prishje, pa e vënë para përgjegjësisë atë që e solli prishjen, pasi më e rëndësishmja është rivendosja e balancës dhe ekuilibrit. Është e domosdoshme të kthehen te kushtetuta dhe shteti ligjor, tek të drejtat e detyrat e njeriut partitë politike, që të rivendosin ekuilibrin e deformuar që rrezikon të prishet.
Duket të jetë e vështirë rivendosja e ekuilibrit, pasi në majën e piramidës, disa të afërm të liderëve kërkojnë të luajnë rolin e liderëve, pra të bëjnë majën e piramidës, duke lënë mënjanë kushtetutën, institucionet e pavarura të shtetit të së drejtës për të gjithë shoqërinë e vlerat e njeriut. Me sofizmat e tyre shpesh përpiqen të justifikojnë veprimet e tyre në dëm të partive dhe liderëve. A do ta pranojnë këtë veprim të kamufluar sofist këta liderë nga të afërm të tyre dhe a do të sakrifikohen nga njerëzit e tyre përreth? Nevoja për balancë ose ekuilibër do t’i zgjojë këta liderë të rivendosin shtetin ligjor, të respektojnë kushtetutën, të drejtat e njeriut dhe të shoqërisë për progres, të bëhen pjesë e BE-se dhe ata, bashkë me vendin e tyre.












