Babai i Almës ka qenë jo pak herë protagonisti kryesor në bisedat që ajo ka bërë me miqtë brenda shtëpisë së “Big Brother”. “Ai nuk ka kontribuar asnjëherë financarisht në familje, vetëm mamaja punonte…. Ai nuk më ka blerë as edhe një kukull…”. Këto janë vetëm disa nga pohimet që ka bërë Alma për të atin i cili u divorcua me mamanë e saj kur ajo ishte rreth tetë vjeç. Kjo është një nga dramat që i shtohet jetës së Almës po të kemi parasysh historinë e martesës pa dëshirën e saj në moshën 15 vjeçare. Por duket se këto fjalë të Almës nuk i ka përtypur dot babai i saj, Elez Alikaj, i cili prej disa javësh tashmë ka kontaktuar me produksinin e “Big Brother” që të sqarojë disa të vërteta sipas tij. Ai u ftua javën e kaluar në “Klubin e Fansave”, por ne preferuam që të thelloheshim akoma më shumë mbi këtë ngjarje që duket se ka lënë jo pak gjurmë në jetën e Almës, e cila ka rrëfyer se një nga arsyet për të cilat është futur në “Big Brother” është pikërisht i ati.
Alma ju ka fajësuar ju si një njeri i papërgjegjshëm, gjatë kohës kur ishit me mamanë e saj, por edhe mbrapa, si një baba që nuk mori përgjegjësitë mbi fëmijët. Si është e vërteta?
Unë kam qenë gjithmonë njeri i përgjegjshëm, kam punuar si oficer dhe mbasi m’u arratisën disa shokë në Jugosllavi më çuan në fermë. Nuk jemi ndarë për faktin se unë kontriboja ose jo në familje, nuk kanë qenë arsyet ekonomike, por thjesht ishim dy njerëz të kundërt. Një familje funksionon kur ka respekt dhe dashuri mes çiftit. Kjo gjë tek ne erdhi duke u shuar. Më pas, unë i kam ndihmuar me çfarë kam mundur të dy fëmijët e mi, sa herë ata fillonin shkollën, u kam blerë gjërat që u duheshin.
Ju thatë se keni tre vjet pa e takuar Almën. Kur dhe si ka qenë ky takim mes jush?
Kur u fejua djali im i madh, vëllai i Almës, unë shkova në Shkodër bashkë me gruan time, (pasi jetojmë në Fier) dhe me dy djemtë që kam nga martesa e dytë. E lamë të takoheshim të nesërmen me Almën, që të flisnim për mënyrën si do kontaktonim, por ajo nuk erdhi. Më erdhi vërtet shumë keq, pasi unë mora edhe bashkëshorten e cila e pati shumë të vështirë të vinte por mesa duket nuk qe e thënë që të vendoseshin kontaktet.
Po më pas çfarë përpjekjesh bëtë ju për tu lidhur me të, pasi tri vite janë shumë apo jo?
Unë jetoj në Fier dhe ajo në Itali, nuk kisha asnjë mundësi komunikimi. Megjithatë, them se pak fajtorë jemi të dy pasi Alma dhe unë kemi karaktere të njëjta, nuk e ulim kollaj kokën.
Pra, “Big Brother” e patë si një mundësi për t’u rilidhur me Almën apo jo?
Po, unë i kërkova stafit të këtij programi që të më mundësonte një takim me të, por ata nuk pranuan.
Nga ana tjetër, vetë Alma ka rrëfyer që një nga arsyet e pjesëmarrjes aty ka qenë dhe i ati. Çfarë shpjegimi mund t’i jepni këtij fakti?
Që edhe ajo dëshiron sa unë që të rivendosim kontaktet dhe më vjen mirë për këtë fakt, pasi unë Almën e kam dashur dhe vazhdoj ta dua shumë. Është e vetmja vajzë që kam.
Pra, nga rrëfimi juaj por edhe i Almës, duket qartë se ju që të dy e keni dashur këtë marrëdhënie, kush mund të ketë qenë pengesë, mbase e ëma?
Kam dyshimet e mia për këtë gjë.
Ku i bazoni këto dyshime?
Nga fjalët e paqëna që ka thënë Alma për mua. Alma ka qenë shumë e lidhur me mua e mbase ky fakt mund ta ketë bezdisur të ëmën.
Kemi parë që ju komunikoni në Facebook me Antonion, të fejuarin e Almës. Keni mundur ta njihni personalisht?
Jo, e kam njohur virtualisht dhe kemi folur për Almën. I kam shkruar vazhdimisht, por e çuditshmja është se mbas të dielës që unë dola tek klubi i fansave, ai nuk më ka kthyer përgjigje.
Mbase i ka mbetur hatri që ju thatë se unë doja një burrë shqiptar për Almën?
Jo nuk e besoj, ajo është zgjedhja e Almës dhe unë e respektoj. Mua nuk më kanë pyetur as kur e fejuan që 15 vjeç kështu që më kanë lënë jashtë këtyre ngjarjeve të rëndësishme në jetët e fëmijëve të mi… Sapo mbarova atë intervistë në tv më mori ish- bashkëshortja në telefon dhe më tha se është dëshira e Almës që të mos flasim për këtë punë dhe prej asaj dite Antonio nuk u bë më i gjallë.
Kemi parë që e përkrahni shumë në Facebook Almën, mendoni se ajo do të fitojë “Big Brother”?
E mbështes sepse është vajza ime dhe mendoj se ajo e meriton të fitojë “Big Brother”-in.
Mendoni se do ta takoni Almën kur të dalë nga “Big Brother” apo jo, meqë diçka e tillë nuk u mundësua publikisht?
Unë jam gati, gjithçka varet nga Alma.
Momentalisht me çfarë merreni?
Kam një biznes të vogël, jetoj mirë, kam dy djem Joelin 15 vjeç dhe Rejdin 10 vjeç. Ata kanë shumë dëshirë ta takojnë Almën. Kam një familje të shëndoshë.
ERMIRA SHPETIMI











