TIRANË- Qytetarë të pakënaqur për shumë shërbime dhe ankesa në shtim për keqtrajtimin në komisariatet e vendit. Këto janë vetëm dy prej çështjeve të bëra publike nga Avokati i Popullit, gjatë prezantimit të raportit vjetor para deputetëve në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
Komisionerja e Avokatit të Popullit, Florinda Nuni ka bërë me dije se pranë këtij institucioni kanë mbërritur ankesa të shumta për dhunën që është ushtruar nga Policia dhe sidomos keqtrajtimet në komisaritatet e Policisë. “Ankesa kemi pasur edhe për shkeljet e procedurave gjyqësore ku sipas qytetarëve përmbarimi nuk ka ekzekutuar një sërë titujsh”- ka thënë ajo.
Duke iu referuar larmisë së ankesave, Nuni është ndalur në ankesat për mbifaturim nga ana e CEZ për pagesat e energjisë elektrike, për Ujësjellësin, për të cilin sipas saj, qytetarët nuk janë të informuar për pagesat dhe faturimet e bëra.











