DURRES – E ka quajtur si tërheqje vëmendjeje nga vrasja e gjyqtarit në Vlorë arrestimin e tij avokati Vangjel Muzina. I ndaluar se kërcënoi me jetë gjyqtarin Fejzo Hysi të Durrësit, Muzina ka reaguar ashpër në sallën e gjyqit. “Ju jeni frikacakë dhe nuk respektoni ligjin. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje dhe jam i pafajshëm. Fejzo Hysi nuk ka pse të ruhet të paktën nga unë që dikur kemi ngrënë me një tavolinë. Nuk e kuptoj përse bëri këtë? Ne jemi të gjithë avokatë dhe gjyqtarë dhe të gjithë kemi marrë apo marrim mesazhe apo telefonata të tilla. Nuk është e vërtetë që i kam thënë a mbarove punë me gjyqtaren, por i kam thënë a mbarove punë me atë kurvën. Ai ka përfituar nga rasti i gjyqtarit të vrarë në Vlorë për të bërë denoncimin që dhe ai të ishte ne qendër të vëmendjes”, deklaroi 64-vjeçari. Prokurori i çështjes Arjan Ndoja tha para gjykatës se bëhet fjalë për një telefonatë që gjyqtari ka marrë mbrëmjen e datës 10 shtator me përmbajtje kërcënuese, ndërsa pas verifikimit të numrit të panjohur nga kompanitë celulare, rezultoi se numri ka qenë i shtetasit Vangjel Muzina, me profesion avokat. Prokurori Ndoja ka kërkuar si masë sigurie për avokatin burgim për 30 ditë derisa të sqarohet shkaku se përse është bërë kjo telefonatë, ndërsa ka shtuar se gjatë kësaj kohe edhe KLD duhet të marrë një vendim për mbrojtjen e gjyqtarit si dhe të hetohet nëse kanë lidhje me kërcënimin personat që kanë qenë në momentin e telefonatës me avokatin. l.m











