Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi se Tirana është më e rëndësishmja e zgjedhjeve lokale të 8 majit, duke paralajmëruar edhe debat për kryeqytetin.Në 50-vjetorin e krijimit të Korpusit të Paqes, një organizatë e themeluar nga Presidenti Kenedi, e cila vepron edhe në Shqipëri, ambasadori Arvizu u shpreh se zgjedhjet lokale konsiderohen si tepër me rëndësi për SHBA-të. Duke pasur përkrah ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, ambasadori nuk harroi as tonet e humorit, duke thënë se “ministri Basha tani është pak më i zënë me punë se zakonisht”. Sipas tij, debatet janë diçka normale, që duhet të ndodhë. “Shtetet e Bashkuara besojnë se zgjedhjet e 8 majit janë tepër të rëndësishme. Politikat e nivelit lokal janë thelbësisht të rëndësishme për demokracinë. Për këtë gjë ka debate, të cilat mund t’i diskutojmë në një vend tjetër. Sigurisht, Tirana është qendra e të gjitha debateve, është pak a shumë e ngjashme si në SHBA, që për gjithçka që ndodh, sigurisht që përfshihet Uashingtoni dhe mendohet se ai është thelbi i debateve i të gjitha çështjeve të nxehta. E njëjta gjë ndodh edhe me Tiranën për Shqipërinë”, deklaroi Arvizu. Kur pritet që gara për Tiranën të ndizet së shpejti, ambasadori amerikan vuri theksin edhe te procesi i decentralizimit, duke nënvizuar rëndësinë e zgjedhjeve më 8 maj për këtë proces. “Koncepti i qeverisjes në nivel lokal është prioritet për demokracinë në Shqipëri. Gjithashtu, rëndësia që ka procesi i decentralizimit, dhe kjo është një arsye pse zgjedhjet e 8 majit janë shumë të rëndësishme. Politikat e nivelit lokal janë thelbësisht të rëndësishme për funksionimin e demokracisë. USAID-i po përfundon një projekt 4-vjeçar në njësitë e qeverisjes lokale në Shqipëri për ngritjen e kapaciteteve të bashkive. Për suksesin e këtij programi vlerësoj mbështetjen e dhënë nga ministri Basha, vullnetarët e paqes janë ambasadorët më të suksesshëm të SHBA-ve”, shtoi ambasadori amerikan.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e hapi fjalën e tij me rëndësinë e kontributit të Korpusit të Paqes në vendin tonë. Ai përdori edhe një shprehje të Presidentit amerikan Kenedi, duke thënë se “nëse nuk i shuajmë dot mosmarrëveshjet, të paktën të ndihmojmë për një botë më të sigurt për të gjithë ne”. Ai vlerësoi edhe kontributin e ambasadorit amerikan Arvizu. “Për shekuj me radhë Shqipëria ka qenë një shesh historik luftërash. Paqja dhe lufta janë përplasur me njëra-tjetrën pa mbarim dhe kjo ka lënë gjurmët e veta në trupin dhe historinë e kombit tonë. Fatkeqësisht, edhe sot Filozofia e Paqes kundër Filozofisë së Dhunës në këtë vend është në rend të ditës. Paqja, pozitiviteti që ju sillni në qytetet tona ka qenë dhe është kurdoherë i mirëpritur. Ju jeni mishërimi i një misioni shumë të lartë që arrihet duke u shërbyer njerëzve. Dua t’ju falënderoj me këtë rast edhe ju ambasadori Arvizu, që bash si një nga misionarët e Korpusit të Paqes keni sjellë brenda një kohe shumë të shkurtër paqe dhe kthjelltësi në Shqipëri”, tha ministri i Brendshëm Basha.
ERALD KAPRI











