Arvizu: Rama, i hapur për dialog, më tregoi axhendën

Sep 3, 2011 | 11:44
Ambasadori amerikan, Arvizu dhe kreu i PS, Rama gjatë takimit të djeshëm

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u takua dje në selinë rozë me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.Takimi konfidencial që zgjati 1 orë e 30 minuta e ku nuk kishte as media dhe as anëtarë të tjerë të selisë rozë, u zhvillua vetëm pak ditë nga nisja e sesionit të ri parlamentar, ku PS ka lajmëruar se do të nisë me të një kurs të ri politik dhe parlamentar. Pas takimit me Ramën dhe në prani të shefes së re të Sektorit Politik dhe Ekonomik të Ambasadës Amerikane, Jenifer H. Moore, ambasadori Arvizu tha për mediat se është njohur nga kryesocialisti me axhendën e re politike të tij. “Mendoj se është shumë konstruktiv, mendoj se Parlamenti duhet të jetë forma kryesore e diskutimit rreth axhendës kombëtare, por ju e dini se ligjet, procesi ligjor është vetëm njëra anë. E lashë Ramën të më shpjegonte se cila ishte axhenda e tij legjislative, apo taktika që do të ndjekë, dhe ky është vendimi i tij dhe jo vendimi im, apo i komunitetit ndërkombëtar, por, siç e thashë, kam një ndjesi të mirë rreth të kësaj. Unë mendoj se është në favor të axhendës së reformave, të axhendës së integrimit, por më duhet t’ia lë zotit Rama ta përshkruajë se si ai do ta bëjë këtë, por mendoj se ne të gjithë po flasim për të njëjtën gjë, dhe kjo është e rëndësishme”, tha ambasadori Arvizu pas takimit me kryesocialistin. Edi Rama nuk bëri asnjë deklaratë pas takimit me diplomatin amerikan, por zyra e shtypit e selisë rozë, përmes një njoftimi për mediat, informoi rreth takimit. PS shprehet se takimi u realizua pas një ftese që kreu i PS i bëri ambasadorit amerikan. Rama dhe Arvizu, në këtë takim, sipas PS, vunë theksin te rëndësia e funksionimit të Parlamentit. “Bashkëbiseduesit ranë në një mendje jo vetëm për rëndësinë e kontributit të secilës palë, që Parlamenti të funksionojë si duhet, por edhe për nevojën që ligjet të zbatohen dhe të mos mbeten vetëm në letër”, citon njoftimi për shtyp i PS-së. Nga të të njëjtat të dhëna mësohet se kryetari Edi Rama e njohu në detaje ambasadorin Arvizu me kursin e ri politik të bërë publik nga partia më e madhe në vend gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë së saj.

E-mail deputetëve socialistë për propozime

Deputetët socialistë kanë marrë një e-mail nga sekretariati i Grupit Parlamentar të PS-së, përmes të cilit u kërkohet që të japin propozimet e tyre se çfarë duhet të bëjnë në komisionet përkatëse ku ata bëjnë pjesë. Pritet që propozimet dhe mendimet e tyre për qëndrimet që duhet të kenë në Parlament të dërgohen para mbledhjes së Grupit Parlamentar që do të mblidhet ditën e hënë në mesditë. Çdo deputet, nisur nga pozicioni që ka, por dhe nga profili i tij profesional, duhet të japë mendime, sugjerime dhe propozime se si duhet organizuar puna e PS-së në komisionin përkatës, ku duhet të mbështetet roli i opozitës në Parlament, por dhe cilat duhet të jenë pikat e forta në rolin e saj si opozitë. Propozimet e deputetëve socialistë do të përmblidhen në një material të përbashkët ku do të përcaktohen dhe qëndrimet e unifikuara të PS-së në komisionet parlamentare dhe seancat plenare.
Të hënën në mesditë do të mblidhet Grupi Parlamentar socialist për të diskutuar dhe vendosur unanimisht qëndrimin dhe sjelljen e tyre të re në Parlament. Opozitë e fortë, kontroll qeverisë përmes interpelancave, por dhe propozime alternative të projektligjeve pritet të jenë disa nga veprimet opozitare në Kuvend të deputetëve socialistë, duke filluar nga dita e hënë. Në fakt, në takime të veçanta, ditët e fundit, kreu socialist ka zhvilluar takime me grupe deputetësh, por dhe tre kryetarët dhe katër nënkryetarët e komisioneve parlamentare ku ka marrë mendimet e tyre për mënyrën se si duhet të organizohet PS në Kuvend. Më parë, Rama u kishte kërkuar atyre të kontrollonin veprimtarinë e mëparshme të komisioneve të tyre, për të parë në këtë mënyrë se çfarë është bërë mirë dhe keq dhe për të ndërtuar strategjinë e tyre të ardhshme. Në bazë të punës së opozitës në Parlament do të jenë interpelancat me Kryeministrin dhe ministrat për të bërë në këtë mënyrë edhe para publikut një kontroll të të gjithë veprimtarisë së ministrive të qeverisë “Berisha”.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura