Deklarata e Arvizu u bë gjatë punimeve të një tryeze të rrumbullakët për “reformimin e Kodit të Procedurës” në Ministrinë e Drejtësië, pjesë e së cilës ishin edhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, si edhe gjyqtarë e përfaqësues të misioneve të huaja në Shqipëri. Në fjalën e tij, ambasadori Arvizu shprehu rezervat e tij në lidhje me sistemin aktual procedural, si edhe momentet ku nevojitej ndryshimi i tij. “Disa afate kohore janë të nevojshme për të mos shkuar hetimet pa fund. Sistemi i tanishëm nxit hetime të nxituara, ekzistenca e të cilave u duhet bërë e ditur subjekteve përpara se të përfundojnë. Ky sistem duhet ndryshuar”, u shpreh Arvizu. Në lidhje me ngadalësinë e proceseve gjyqësore në vend, ambasadori u shpreh: “Shumë çështje penale kërkojnë muaj për të përfunduar për një numër arsyesh. Gjyqet nuk janë të vazhdueshme dhe fillojnë në seanca të planifikuara në mënyrë sporadike. Gjyqtarët kanë pak pushtet apo autoritet për të detyruar palët, avokatët apo prokurorët, për t’u paraqitur në çdo seancë dhe nuk ka rregulla konkretet për administrimin e provave që të përcaktojnë se çfarë duhet të shqyrtojë gjykata për të vendosur përfundimin”. Ndërkohë, si pengesë kryesore të hetimit të zyrtarëve të lartë në Shqipëri, ambasadori Arvizu cilësoi imunitetin tepër të gjerë të tyre. Në të njëjtat linja me ambasadorin amerikan, në lidhje me nevojat e ngutshme për ndryshim të Kodit të Procedurës, ishte edhe Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. Si problematikën më të spikatur të ndeshur në ushtrimin e funksionit të saj, Kryeprokurorja Rama vlerësoi imunitetin. Rama sugjeroi se metodat speciale te hetimit, përgjimet, duhet të lejohen edhe ndaj njerëzve me imunitet. “Prokurori duhet të jetë i lirë të kryejë hetime, duke përdorur metodat speciale të hetimit edhe ndaj një personi me imunitet, në mënyrë që të mundet të mbledhë ato prova të cilat mund të merren vetëm gjatë një hetimi të fshehtë”, u shpreh Rama. Gjithashtu, Kryeprokurorja sugjeroi ndryshime ligjore në Kod, në pjesën e garantimit të gjykimeve të pandërprera, si edhe në afatet e hetimeve.
Arvizu: Imuniteti, pengesë
“Asnjë rishikim i Kodit nuk do të jetë i plotë, nëse nuk marrim në konsideratë imunitetin e gjerë, që kanë sot zyrtarët e lartë në sistemin shqiptar. Ndërkohë që vende të ndryshme në Europë ofrojnë imunitet të kufizuar, Shqipëria qëndron e vetme në faktin e një imuniteti të gjerë, që pengon hetimet për zyrtarët e lartë. Ne mënyrë që hetimet të jetë në suksesshme, ato duhet të kryhen në mënyrë të pazbuluar, aktualisht Prokuroria duhet të zbulojë të gjitha hetimet që kryhen ndaj personave me imunitet,
madje dhe provave që kanë ndaj tyre. Ky sistem
duhet të ndryshojë”, u shpreh Arvizu.
Rama: Gjykim i pandërprerë
“Parimi i gjykimit të pandërprerë çmohet si një element, i cili duhet të garantohet realisht nëpërmjet ndryshimeve ligjore, që duhet t’i bëhen Kodit të Procedurës Penale. Organi procedues duhet të ketë realisht mekanizma ligjorë efikasë, për të ushtruar funksionet e tij në zbatim te këtij parimi. Afati i hetimeve paraprake rezulton një institut që ka nevojë të pësoje ndryshime. Përgjithësisht afatet hetimore janë shumë të shkurtra dhe nuk lënë mundësi për zhvillimin e hetimeve proaktive e komplekse”, u shpreh Rama.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











