Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje se nuk ka më kohë për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe partitë duhet të garojnë me ligjin aktual.Gjatë një vizite ne qytetin e Lushnjës, ambasadori tha se zgjedhjet e 8 majit janë tepër të rëndësishme dhe qytetarët duhet të marrin pjesë në to. “Po ashtu jam informuar që fushata duhet të fillojë më 8 prill, që i bie 30 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Mendoj që nuk ka kohë mjaftueshëm për të rishkruar ose për ta ndryshuar Kodin Zgjedhor. Është shumë vonë për ta bërë këtë. Gjithsesi, mendoj që ka kohë për të trajtuar disa pyetje specifike lidhur me Kodin. Mendoj, që mund të mos jetë vetëm një parti si LSI-ja apo cilado, për ta adresuar këtë çështje, por mendoj gjithashtu që duhet të respektojmë procesin kushtetues në Shqipëri. Presidenti i Republikës ka shpallur 8 majin si ditë të zgjedhjeve vendore në Shqipëri, dhe prandaj këto zgjedhje më 8 maj duhet të jenë më të mirat e mundshme që mund të realizohen në atë ditë”, tha Arvizu. Ambasadori foli edhe për shqetësimin e ngritur për çështjen e listave të zgjedhësve. Ai u shpreh se ndërkombëtarët do e ndjekin këtë shqetësim nga afër, madje do e diskutojnë edhe me Presidentin e Republikës. “Tashmë flitet për kompozimin e KQZ-së apo listat e votuesve dhe janë shqetësime më se të vlefshme. Unë vërtet shpresoj që partitë të mos presin sa të fillojnë zgjedhjet, në mënyrë që t’i adresojnë siç duhet këto çështje. Komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar dhe ne po punojmë me KQZ-në lidhur me këto çështje, por kuptohet që sipërmarrja me e madhe ndërkombëtare dhe organizmat drejtuese është OSBE/ODHIR-i. Dhe më vonë, kur unë të kthehem në kryeqytet së bashku me shefin e OSBE-së dhe të BE-së në Shqipëri, do të takohemi me Presidentin Topi për të diskutuar mbi këto çështje”, tha më tej Arvizu. Duke folur më tej për zgjedhjet, ai tha se qytetarët nuk duhet të mbështesin individët që kërkojnë që zgjedhjet të mos shkojnë mirë. “Qartas është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të shkojnë mirë, por gjithashtu njerëzit dhe partitë politike duhet të kenë qëndrimin e duhur, përderisa shkojnë në zgjedhje. Dhe me këtë qëndrim të duhur, nënkuptoj që njerëzit të shkojnë në zgjedhje dhe të thonë se ne duam që këto zgjedhje të jenë të mira. Edhe nëse qëndrimi i ndonjë personi është që zgjedhjet të mos shkojnë mirë, atëherë njerëzit duhet të thonë, jo, qëllimi është që zgjedhjet të shkojnë mirë dhe për këtë arsye duhet të votojnë”, deklaroi Ambasadori i SHBA-ve.
Edhe në këtë vizitë Ambasadori foli gjatë për debatin mes kandidatëve jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Sipas tij, nuk mjafton vetëm mbulimi mediatik, por edhe përballja mes kandidatëve. “Zoti kryetar, unë shoh që këtu rreth nesh kemi shumë kamera televizive, pra që nënkupton se në zgjedhjet e 8 majit do të ketë një mbulesë televizive, por a nënkupton kjo se do të ketë edhe një debat televiziv mes kandidatëve kryesor? Unë mendoj që qoftë në Lushnjë, Korçë apo Tiranë, debatet janë një mundësi e mirë që kandidatët të mund të shprehen lirshëm, për atë që është e mirë për publikun e gjerë”, tha më tej në Lushnje Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu.
MAJLINDA RAMA











