Arsenal armësh në shpellë, pronari dyshohet për vrasje

Jan 22, 2012 | 12:45

Arsenali i armëve në shpellë vë në pranga të dyshuarin për një sërë krimesh të rënda në Tropojë, mes tyre dhe vrasje.

Edmir Vukaj, 33 vjeç, sipas komunikatës zyrtare të Policisë së Kukësit, është prangosur në orën 22:30 të së premtes. Pas sinjalizimeve që ka marrë policia, në një shpellë në Soç, në bjeshkët sipër fshatit Koçanaj, ku dhe banon Vukaj, policia ka gjetur armët e fshehura, nga mitralozi e deri te granatat e lëndët shpërthyese. Mësohet se 33-vjeçari Vukaj e ka pranuar autorësinë e armëve që kishin nisur të ndryshkeshin. Menjëherë një grup i Prokurorisë lokale ka nisur çështjen penale për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, të parashikuara nga neni 278/2 i Kodit Penal. Burime nga Policia e Tropojës bëjnë të ditur se Vukaj ishte nën vëzhgimin e policisë lokale prej katër ditësh, pasi ishte kthyer nga një burgim 3.5 vite në Francë.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, ai u rikthye në Shqipëri, ndërkohë që Drejtësia franceze e kishte dënuar me 5 vite burg, pasi kishte goditur me thikë një kushëririn e tij, po emigrant në Francë. Vukaj mundi të kryejë vetëm 3.5 vite dhe u lirua, ndërkohë që konfliktin me kushëririn e tij e pati denoncuar një shtetas francez, që kishte qenë dëshmitar i ngjarjes. Policia dhe prokuroria nuk japin shumë detaje rreth aktivitetit kriminal të Edmir Vukajt, por shpresojnë se hetimet do të zbardhin shumë vrasje të kryera në Tropojë, kryesisht në fshatin e lindjes të të ndaluarit, Koçanaj. Këto vrasje, nëse vërtetohen, do ta rëndojnë shumë para Drejtësisë Vukajn, në të kundërt, do të heqin shumë hamendësime për të. Në këtë fshat, në vitet 1997-2000 kanë ndodhur pesë vrasje, në zonën ku jeton 33- vjeçari. Do të jenë pohimet e familjarëve të viktimave që do të hedhin dritë mbi vrasjet dhe ekspertiza balistike e armëve të gjetura të premten.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se dyshohet që Vukaj ka pasur disa konflikte personale me viktimat, çka mendohet të ketë sjellë dhe krimet. Vrasjet për të cilat tani do të hetohet janë bërë me armë të lehta zjarri, por dhe me antitank. I lindur në Koçanaj, Vukaj është i martuar dhe me dy fëmijë. Me gjithë dyshimet për krimet, mungesa e denoncimeve në polici nuk i ka dhënë mundësi Drejtësisë të hetojë mbi këtë person. Edhe vetë i ndaluari, me gjithë gjetjen dhe pranimin e armatimit, nuk ka pohuar se ka gisht në vrasje. Vetëm me anë të provave të gjetura si dhe rihapjen e çështjeve të vjetra, mbetur pa autor do të mësohet nëse Vukaj ka gisht në to.

© Panorama.al

Te lidhura