TIRANË- “Konferencë të parë, tmerrësisht të vonuar për një temë kryesore, për atë që në realitet është Shqipëria”. Kështu e ka nisur fjalën e tij kreu i qeverisë, Sali Berisha në të parën konferencë për Shqipërinë Arrore. Duke e cilësuar vendin një Kaliforni të vogël në raport me arrorët, Berisha ka kërkuar angazhim total për këtë projekt që shumë shpejt do të shndërrohet në sukses të padiskutueshëm.
“Ky projekt do të jetë sukses kur ne të imagjinojmë atë që nuk e kemi imagjinuar dot, që nuk është menduar dot, por që do të jetë realitet”- tha Berisha.
Berisha ka pranuar suksesin me projektin për ullirin, i cili shkoi në 50 milionë rrënjë, ndërkohë që ka theksuar se me arrorët mund të shkohet në 200 milionë.
“Arrorët do i japin një pamje krejt tjetër zhvillimit të vendit, ne bëjmë hapat më të mëdhenj në drejtim të zhvillimit jeshil të Shqipërisë. Për këtë duhet të kthehet në axhendë të qeverisë, universitetit, qarqeve, komunave. Projekti do ketë sukses të plotë pasi ne të kemi krijuar të gjithë ekspertizën shkencore. Duhet të bëhemi ndër prodhuesit më të rëndësishëm të arrorëve, pasi Europa importon 2 milionë tonë cdo vit”- tha ai.
© Panorama.al











